Connect with us

Kronike

Vrasja e Gjovalin Prendit/ E bija flet me emra: Babain dhe vëllain mi vrau…

“Kërkoj që të vihet drejtësi për kushërinjtë e mi, vëllanë tim, babanë tim. Të gjenden autorët, të kapen dhe të marrin dënimin e merituar”, tha Viola Prendi, e bija e viktimës.

Ky është apeli i familjes Prendi drejtuar autoriteteve. Vrasja e 64-vjeçarit Gjovalin Prendi mbrëmjen e 17 prillit pranë lokalit të tij në Pllanë ishte humbja e katërt për këtë familje në harkun e 11 viteve.

Më 19 shkurt 2014 janë vrarë Taulant Prendi e Klodian Ndreca, 10 vite më vonë në 9 maj në Athinë u ekzekutua Sidorel Prendi i njohur edhe me emrin Roan Brahimi dhe më 17 prill u ekzekutua i ati i tij, i cili për ikjen e nipave dhe të birit priti nga shteti gjetjen e autorëve që janë ende anonim.

“Ne nuk kemi marrë asnjë kërcënim, babai im jetonte i lirë, dilte në rrugë se thoshte nuk i kam hyrë në hak njeriu”, tha ajo.

Një orë pas këtij krimi në Tiranë ndodhi një atentat me 4 të plagosur që u dyshua se në shënjestër ishte bashkëshortja e Sidorel Prendit, por për familjen ky ishte një dyshim i pabazë, pasi e veja e tij në ato momente ndodhej në Lezhë, por kjo zhurmë ka lënë shenjë tek fëmijët e vegjël.

“Kemi fëmijë që janë të terrorizuar, kanë frikë të shkojnë në shkollë, thonë do na vrasin edhe ne si gjyshin dhe për ne kjo është e tmerrshme”, tha e bija e viktimës.

Policia ka hedhur dyshimet se vrasja e Gjovalin Prendit lidhet me të shkuarën e të birit Sidorel Prendi i cili sipas bluve megjithëse jo zyrtarisht dyshohet për krime të ndryshme si atentati ndaj Brilant Martinajt, vrasja e Gentjan Bejtes etj, por familja ka një tjetër version dhe flet me emra për autorët.

“Çdo gjë nisi nga një konflikt banal për një femër. Rivali i vetëm është Ardian Gjeloshi, i biri Klajd Gjeloshi dhe aleatët e tyre. Ata janë organizatorët e vrasjes së babait dhe vëllait tim. I kam deponuar edhe në polici”, tha ajo.

E motra e Sidorel Prendit alias Rohan Brahimit mohon kategorikisht që i vëllai të jetë përfshirë në vrasjen e Brilant Martinit apo në krime të tjera të ndodhura vitet e fundit pasi ai në këtë kohë nuk ka qenë në Shqipëri. Viola Prendi pranon që i vëllai kishte njohje me Ervis Martinajn, por kurrsesi nuk ishte kundërshtar i tij.

“Vëllai im nuk ishte kundërshtar i Martinajt. Ka marrë një telefonatë nga ai, u revoltua. Ka ik e ka takuar dhe është kthyer po atë darkë. Nuk është dhunuar siç thonë. Ka ardhur, kemi vijuar darkë.”, u shpreh ajo./tch

Advertisement