Connect with us

Kronike

Policia në operacione të koduara, në pranga dy “skifterat” që ishin bërë tmerr i qytetit

Vihen në pranga, në kuadër të operacioneve të koduara “Trace” dhe “Strike”, 2 autorët e disa vjedhjeve në qytetin e Vlorës, njëri prej të cilëve në kërkim edhe për një tjetër rast vjedhje, në një tjetër qytet.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe hetimeve, përmes verifikimeve në terren dhe analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë, kanë zbardhur dhe dokumentuar disa raste vjedhjesh.

Në kuadër të operacionit “Trace”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan shtetasin A. C., 40 vjeç, banues në Elbasan.

Nga hetimet ka rezultuar se 40-vjeçari është autor i dyshuar i 3 vjedhjeve të ndodhura në  subjekte të ndryshme tregtare në qytetin e Vlorës, konkretisht:

 

 

* Më datë 02.05.2025, ka vjedhur artikuj të ndryshëm në subjektin tregtar të një shtetasi, në lagjen “10 Korriku”.

* Më datë 29.04.2025, ka vjedhur një shumë parash në subjektin e një shtetasi, në lagjen “Pavarësia 2”.

* Po atë ditë, ka vjedhur përsëri një shumë parash në subjektin e një shtetasi, në lagjen “10 Korriku”.

Gjithashtu ka rezultuar se ky shtetas ishte në kërkim për një tjetër vjedhje të ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku dyshohet se ka vjedhur në një subjekt të llojit “tabakino”.

Një pjesë e sendeve të vjedhura dhe disa mjete të përdorura për kryerjen e vjedhjeve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të operacionit “Strike”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan shtetasin B. Ç., 41 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 02.05.2025, në lagjen “10 Korriku”, i ka vjedhur me dhunë një shtetaseje dy varëse floriri dhe çantën, në të cilën ndodheshin një shumë prej 16000 lekësh dhe sende të tjera.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement