Politike
Rama: Berisha e di se non gratën nuk e ka nga Soros, por nuk e tregon dot se nga i erdhi…

Kryeministri Edi Rama, ka folur për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA dhe shpalljen non-grata të Berishës.
Rama tha se teoritë që ai ka ndikuar me Soros për shpalljen non-grata të kreut të opozitës, janë “budallallëqe”. Ai shtoi se “Amerika nuk blihet”, ndërkohë që shprehu habi për shumën e përdorur nga PD për lobimin në SHBA.
Pjesë nga biseda:
Rama: Bufin e kënetës ti e njeh mirë. As ai vetë nuk e beson atë që thotë. Ai e di shumë mirë nga çfarë i ka ardhur ajo që i ka ardhur. Ai e di që nuk ka lidhje George Soros dhe as unë. Është kapur pas asaj narrative, sepse diçka do ta thotë. Që të mendosh se mundet një kryeministër, i një vendi si Shqipëria, ose kushdo, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, të ndikojë një firmë të vetme nga Sekretari i DASH, do të thotë të mos njohësh Amerikën.
Rakipi: Përfshirë edhe Soros?
Rama: Nuk funksionon kështu. Po të ishin SHBA-të një vend që mund të merreshin për hunde nga interesat politike të një vendi atje, apo paratë e kujtdoqoftë, nuk do të ishin superfuqi botërore. Sa ka para bota dhe sa naftë ka, sa ar dhe diktatorë ka bota, që do ta kishin futur në thes Amerikën?
Rakipi: Amerika në mënyra të ndryshme është sjellë, kanë mbajtur edhe diktatorë në pushtet.
Rama: Ata nuk kanë mundur ta ndikojnë Amerikën në asnjë mënyrë. Ku blihet Amerika me lekë? Ti merr lekët dhe të këput dhe kokën.
Historira pastaj budallallëqe, Soros, McGonigal, janë budallallëqe, nuk funksionon kështu. Bufi e di shumë mirë nga i ka ardhur, është i qartë në gjithçka. Nuk e tregon dot ai nga i ka ardhur. Do të thotë se i meriton ato për të cilat i kanë vënë damkën si familje? Pjesa tjetër, pse nuk u hoq non-grata? Se kanë kaluar 6 muaj. Pse nuk u hoq? Aq më tepër nëse do ta kishte vënë Soros, që është djalli për pjesën tjetër, pse nuk u hoq kjo? Atij shefit të kabinetit të Orbanit, ia hoqën. Po LaCivita çfarë është? Një konsulent që punon për kë i ofron paratë.
Rakipi: Është një lobim, por edhe ju keni lobuar në SHBA. Ku ndryshon lobimi juaj me të këtyre?
Rama: Këtu është një shumë marramendëse, 6 mln dollarë. Lulit për 500 mijë euro, që prapë janë shumë, iu bë gjithë ajo gurgule dhe bufi i bëri gjyqin Lulit për 500 mijë. Tani 6 milionë, çfarë do të thotë? Kjo kontratë do të jetë një bumerang i madh edhe në SHBA.

