Politike
Altin Goxhaj jep dorëheqjen pas rezultatit të dobët në zgjedhje dhe akuzon PD-në: Më vodhën votat

Altin Goxhaj, kryetari i Aleancës Konservatore për Shqipërinë, ka shpallur dorëheqjen nga posti i tij pas rezultatit të dobët që partia e tij arriti në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një deklaratë të gjatë publike, Goxhaj shpjegoi se ndonëse zgjedhjet ishin zhvilluar nën një kontekst që ai e konsideroi si “pengmarrje nga Shteti-Parti i Rilindjes”, përgjegjësinë për dështimin e merr tërësisht mbi vete.
Sipas tij, objektivi elektoral ishte të arriheshin 10 mijë vota vetëm në qarkun e Tiranës, por deri tani janë numëruar 1,734 vota për partinë që ai drejton, ndërsa ende nuk është përfunduar numërimi i disa kutive dhe i votës së diasporës.
Ai shprehet se, bazuar në llogaritjet e tij, votat e Aleancës Konservatore mund të arrijnë deri në rreth 3,000, një shifër sërish shumë më e ulët se pritshmëria dhe standardi minimal për të qëndruar në politikë aktive.
Në deklaratën e tij, Goxhaj lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Partisë Demokratike dhe drejtuesit të fushatës Belind Këlliçi, duke i cilësuar si përgjegjës për sabotimin e kandidatëve të listës së hapur në Tiranë.
Ai nënvizoi se nuk u zhvillua asnjë tubim prezantues i kandidatëve, dhe asnjë informacion për listat nuk u publikua në kanalet zyrtare të PD-së, gjë që sipas tij e dënoi fushatën e tij me dështim të paralajmëruar.
Goxhaj shtoi se ekzistonte edhe një urdhër i brendshëm në strukturat e PD-së për të mos votuar kandidaturën e tij për shkak të përkatësisë në një parti tjetër, duke e lënë kështu pa asnjë mbështetje reale nga koalicioni.
Duke iu referuar mënyrës së fushatës së tij, ai tha se për shkak të kohës së shkurtër dhe burimeve të kufizuara, kishte ndërtuar vetëm një fushatë informuese në rrjete sociale dhe media, pa organizuar takime apo aktivitete në terren. Ai përmendi se e gjithë fushata e tij u përbë nga disa podkaste, video, kartvizita të dhuruara dhe katër kapele.
Goxhaj theksoi se ka prova për manipulim në komisionet e numërimit, ku pretendon se janë humbur rreth 600–700 vota të partisë së tij, dhe ka paraqitur kërkesë në KQZ për të marrë në dorëzim pamjet filmike të qendrave të numërimit. Ai gjithashtu shprehu shpresë se vota e diasporës do të sjellë një rritje të rezultatit final të partisë.
Në përmbyllje të deklaratës, Altin Goxhaj i bëri thirrje Komitetit Drejtues të partisë që të mos japin dorëheqje, por të nisin një proces të gjerë riorganizimi gjatë verës, i cili do të kulmojë me thirrjen e Kuvendit Kombëtar në shtator 2025, ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i Aleancës Konservatore për Shqipërinë dhe do të hartohet strategjia për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Pavarësisht largimit nga drejtimi i partisë, Goxhaj la të kuptohet se do të vijojë të jetë aktiv në jetën publike, siç ka bërë edhe më parë.
“Në këto 34 vite kam dhënë 17 herë dorëheqjen nga pozicione të ndryshme drejtuese, por kjo nuk më ka penguar të luaj një rol konkret dhe super aktiv në shoqëri dhe profesion,” shkruan ai në fund të deklaratës.

