Bota
E rëndë në SHBA! Atentat ndaj dy ligjvënësve demokratë në Minnesota. Vritet përfaqësuesja Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, plagoset rëndë senatori

Dy ligjvënës nga Partia Demokratike në shtetin e Minnesotës janë sulmuar me armë në shtëpitë e tyre në SHBA. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën përfaqësuesja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Melissa Hortman, si dhe bashkëshorti i saj, Mark Hortman. Lajmi u bë i ditur nga guvernatori i Minnesotës, Tim Ualz, gjatë një konferencë urgjente për mediat që u zhvillua mëngjesin e së shtunës.
“Kjo duket si një vrasje politike me qëllim të qartë. Një akt i dhunshëm që synon të krijojë frikë dhe destabilizim,” tha ai me një ton serioz dhe të prekur emocionalisht. Autoritetet raportojnë se një tjetër synim i sulmeve ka qenë edhe senatori i shtetit, John Hoffman, gjithashtu anëtar i Partisë Demokratike-Fermere-Punëtore.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Yvette, janë qëlluar disa herë me armë në banesën e tyre në qytetin Champlin. Të dy u dërguan urgjent në spital dhe iu nënshtruan operacioneve. Guvernatori Ualz shprehu shpresën që ata do të mbijetojnë dhe tha se aktualisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarjet e dhunshme ndodhën në Champlin dhe Brooklyn Park, dy qytete të afërta pranë Minneapolisit. Policia dhe shërbimet e emergjencës kanë marrë masa të forta sigurie në zonë dhe kanë izoluar një perimetër prej rreth 5 kilometrash rreth vendit të ngjarjes.

