Kosova
Kurti paralajmëron incidente në Gazimestan për shkak të Vidovdanit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të premten, në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës ka paralajmëruar mundësinë që Beogradi zyrtar të nxis incidente, të shtunën, gjatë shënimit të Vidovdanit në Kosovë.
Sipas Kurtit, kështu Serbia po dëshiron ta vendos vëmendjen diku tjetër, për shkak të protestave masive gjithandej Serbisë kundër presidentit, Aleksandar Vuçiç.
Kurti duke u bazuar në të dhënat e autoriteteve të sigurisë së Kosovës, tha se ka përpjekje “që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv”.
“Prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht këto grupe kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike”.
Në këtë kontekst, Kurti u ka bërë thirrje komunitetit serb në Kosovë “që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike”.
“Në fundjavë shënohet dita e Vidovdanit, e cila ndonëse ditë me karakter fetar, fatkeqësisht në vazdhimësi është përcjellë me retorik, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë”, shtoi ai.
Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e Komunës së Graçanicës, e cila kishte lejuar shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024.
Në arsyetimin e gjykatës thuhej se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor – ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.
“Lejimi i shfaqjes së flamurit të një shteti tjetër [në këtë rast Serbisë], përveç rasteve të parashikuara me ligj, mund të kuptohet si një akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë ose i vetëorganizimit politik, gjë që bie ndesh me rendin kushtetues”, u tha në vendimin e gjykatës.
Gjykata gjithashtu theksoi se vendimi i Komunës së Graçanicës “rrezikon rëndë rendin dhe qetësinë publike si dhe bashkëjetesën në Kosovë”, veçanërisht në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan – një monument historik rreth 10 kilometra nga Prishtina.

