Connect with us

Kronike

Si u ‘fundos’ grupi që mbushi Europën me drogë, iu kapën1 ton kokainë bosit të ‘Cincos’ me Dervishajn në Belgjikë

Hetimi që SPAK kishte nisur për grupin kriminal që kishte planifikuar atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja çoi në zbulimin e grupit që mbushi me kokainë gjithë Europën. Emra të njohur të botës së krimit, si Palurent Dervishaj, i penduari Erion Alibej, por edhe biznesmenët Artur dhe Klevis Hoxhosmani, bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj, ishin pjesë e grupit me 16 anëtarë në total që trafikuan të paktën 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.

Report Tv ka siguruar dosjen e SPAK, ku zbardhen të gjitha episodet e trafikut të kokainës dhe hashashit që kryesisht grupi e trafikonte nga Amerika e Jugut në drejtim të vendeve të BE-së. Një prej anëtarëve të grupit është edhe bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj i cili u arrestua në Palasë duke shijuar rrezet e diellit në një skaf luksoz. Edhe në komunikimin me anëtarët e grupit kriminal me të cilët trafikonte kokainë, Ndreaj preferonte të quhej me nofkën ‘Cinco’, pseudonim referuar klubit të njohur të natës Cinco Cavalli që zotërohej nga ai.

Biznesmeni tjetër Artur Hoxhosmani, njihej me pseudonimin “burrelsi”, “lambo”, “santucio” dhe “santucio nee”. Vëllai i tij Klevis Hoxhosmani kishte pseudonimet “keli dhe “Santucio brother”. Ilir Lloshi, i cili është ende në kërkim, thirrej ‘Licja’, ndërsa biznesmeni tjetër po në kërkim Elidon Skëndaj njihej si Bisha dhe Bisha New.

SPAK ka zbardhur të paktën 5 episode të trafikut të kokainës, ku porositës ka qenë edhe vetë ‘bosi’ i Cincos Ermir Ndreaj. Ky detaj është zbuluar përmes bisedave në SkyECC mes biznesmenit Ndreaj dhe Artur Hoxhosmanit, teksa diskutonin fiks 4 ditë pas sekuestrimit të gati 1 ton kokainë në portin e Belgjikës, në prill të vitit 2020, që ishte pjesë e një dërgese në total prej 4 tonësh. Në biseda, Ndreaj pranon se 809 pako nga kokaina që u sekuestrua ishin të tij.

Ermir Ndreaj: A ke dhe nr kondiner?

Artur Hoxhosmani: Po cila nga ato?

Ermir Ndreaj: Se jam 9 kuti

Artur Hoxhosmani: Të ra ndok punë prapë?

Ermir Ndreaj: Dhe mua 809 cop

Artur Hoxhosmani: Me firm

Ndreaj e Hoxhosmani, bashkëpunëtorë me Palurent Dervishajn kishin planifikuar në detaje trafikun e kësaj ngarkese nga Ekuadori në Belgjikë. Droga ishte fshehur në një kamion me paleta druri, por shoferi i kamionit i ‘tradhtoi’. Punonjësit e portit kishin kuptuar se diçka nuk shkonte me të dhe e kishin kaluar kamionin për kontroll, edhe pse të tre kishin persona të infiltruar në port që punonin për llogari të tyre.

“Duke u nisur nga sasia e përmendur prej 809 copësh si dhe e datës së komunikimit (4 ditë pas sekuestrimit) konfirmohet se porositësi i lëndës narkotike prej rreth 809 copësh, në këtë episod është pikërisht bashkëpunëtori tjetër i të hetuarit Plaurent Dervishaj, identifikuar si personi në hetim Ermir Ndreaj”, thuhet në dosjen e SPAK.

Në bisedat me Artur Hoxhosmanin, Plaurent Dervishaj shfaqej i mërzitur për drogën që po iu sekuestrohej.

Plaurent Dervishaj: Jan kap 4 ton do jete aty, e futen ne skaner te gjithë anijet, 811 cop, ka shku shoferi me terheq e si ka pelyq sjellja, e ka hudh skain. I kan thon do shkojm ne skaner dhe i kan kontrollu makinen i kan thon ku ke tel tjetër. I ka thon skam tel veç ket, e kan lon shoferin me ik, besoj po e rujn. Tani besoj do e cojn ne kompani kutin e do presin do lajmoj kompania qe ka mall mren shtetin. Se as firmes nuk i kan komuniku gjo. Mos e vrit menjen tha se sjemi zero me tha. Do e rikuperojm shum shpejt tha.

Për këtë dosje, janë në kërkim edhe biznesmeni Elidon Skëndaj, i cili dyshohet se fshihet në Dubai, si edhe për person tjetër i identifikuar si Ilir Lloshi. Për këtë dosje, ky grup do të gjykohet ndarazi nga hetimet për grupin që planifikoi vrasjen e deputetit të zgjedhur të PD, Arjan Ndoja. Kështu, për Dervishajn dhe Alibejn është lëshuar masë e dytë sigurie, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit janë ende në fazë hetimi.

Nga operacioni u sekuestruan 43,470 euro dhe 5,000 franga zvicerane, si dhe 3 makina, përfshirë një luksoze, Mercedes Benz AMG G63. U bllokua gjithashtu një skaf luksoz, prodhim i vitit 2025. Nga kontrollet u gjetën edhe 2 orë luksi, Rolex dhe Richard Mille, 16 celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare dhe të dhëna llogarish të huaja bankare në Dubai, Gjermani, Itali dhe Panama. U sekuestrua gjithashtu një dron profesional, 8 hard disqe dhe pajisje të tjera elektronike të sofistikuara. Në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën 3 pistoleta pa leje.

Advertisement