Politike
Shqipëria në flakë/ Ministri Vengu sqaron polemikat: Avionët janë duke u blerë

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një komunikim për mediat nga Delvina tregoi situatën aktuale në këtë zonë dhe zonën e Gramshit më të prekurat nga zjarret e mëdha të një dite më parë. Nga Delvina, ku situata me zjarret është ende e rrezikshme, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se Shqipëria është duke blerë dy avionë që në të ardhme të ketë mundësi të përballojë më mirë situata të ngjashme. Sipas tij, avionët po prodhohen por ende nuk kanë përfunduar.
“Ne kemi iniciuar dhe përmbyllur procedurën për një investim. Duhet të dimë se që nga viti 2007, Shqipëria nuk ka pilotë avionësh. Ky është realiteti që kemi trashëguar. Ndaj kemi hapur dhe një shkollë aviacioni që do fillojë të operojë në Vlorë. Ne do të kemi mundësi që të kemi dhe pilotët që shkojnë me këto mjete ajrore. Ne nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara për zjarret. Ka bërë polemikë fakti që ne angazhojmë forca të huaja. Nuk ka asnjë debat për këtë pjesë. Më vjen mirë që jemi të integruar në Mekanizmin Evropian saqë sa herë ne kërkojmë ndihmë edhe në kushte kur Kroacia është në flakë, Italia, Turqia janë në flakë, dhe prapë ne jemi pjesë e Mekanizmit Europian. Avionët janë blerë. Ka një procedurë sesi bëhen këto investime. Avionët duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri, është një proces që kërkon kohë. Ne po kërkojmë një mundësi që të prodhohen sa më shpejt. Në këto kushte jemi. I keni shifrat në buxhet, nuk kemi bërë disbursime pasi nuk kemi lidhur kontratë. Ky është realitet. Nuk ka politikë këtu, ka të bëjë me planin e zbatimit të investimeve të qeverisë shqiptare,”- tha Vengu.
Aktualisht në Shqipëri janë aktive ende 29 vatra zjarri në vend. Forca të shumta janë përqendruar në zjarrin tek Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit. Në Tërnovë të Bulqizës, era po favorizon flakët që po zhvillohen në disa fronte. Pas një dite të vështirë, situata nga zjarri në njësinë Skënderbegas të Gramshit. Sot ka vetëm një vatër zjarri mbi fshatin Ermenj, por shumë larg banesave. Edhe sot për shuarjen e flakëve po operohet nga toka dhe me helikopter.

