Shkrime
Lulet nuk po çelin në Beograd, gjithçka po shkatërrohet dhe Vuçiç nuk mund ta ndalojë dot
E vetmja zgjidhje për krizën në të cilën ndodhet Serbia prej nëntë muajsh është thirrja e zgjedhjeve, por Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e shtyn vazhdimisht këtë proces. Pengesat e tij janë dhuna, manipulimi, premtimet e rreme dhe përballjet me median. Gjatë kësaj kohe, ai po humbet mbështetjen ndërkombëtare dhe eshte e qartë se lulet nuk po çelin në Serbi dhe Partia e tij Progresive Serbe po shpërbëhet ngadalë por me siguri.
Prej tre muajsh, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka refuzuar të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat potencialisht do të zgjidhnin krizën në vend.
Sipas informacionit të publikuar nga Nedeljnik, Vuçiç dyshohet se po planifikon të shpallë zgjedhje në të gjitha nivelet në shtator ose tetor. Plani është që, nëse masat ekonomike i japin rezultate, ai do të shpallë zgjedhje në fund të dhjetorit.
Kjo, sipas burimeve “të mirinformuara” të Nedeljnik, do të parandalonte bllokime të reja në fakultete në nëntor, kohë kjo kur fillon viti i ri studentor.
Ajo që po ndodh në terren është arsye e mjaftueshme që Vuçiç, i cili ka qenë në pushtet për 13 vjet, të zgjasë shpalljen e zgjedhjeve sa më gjatë që të jetë e mundur.
Shpirtra të trazuar në bashkësinë ndërkombëtare
Bashkësia ndërkombëtare, e cila deri më tani konsiderohej një kështjellë e fortë e pushtetit të Vuçiçit, nuk mund të mbetet më imune ndaj dhunës në rrugët e Serbisë.
Kështu, Qeveria Federale e Gjermanisë e paralajmëroi Qeverinë e Serbisë se duhet të respektojë parimet e sundimit të ligjit. Liria e tubimit duhet të garantohet.
Qeveria gjermane u ka kërkuar autoriteteve në Serbi të sqarojnë sulmet ndaj demonstruesve dhe gazetarëve gjatë protestave antiqeveritare. Sidomos duke pasur parasysh që Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, vendi është “i detyruar t’i përmbahet parimeve të sundimit të ligjit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin.