Kronike
I dehur në timon shkaktoi aksidentin që i mori jetën dy motrave, jepet vendimi për Kevi Norrën

Gjykata e Srandës ka lënë në burg 23-vjeçarin, Kevi Norra, i cili shkaktoi aksidentin ku humbën jetën tragjikisht dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku. Norra u arrestua në flagrancë mbrëmjen që ndodhi aksidenti.
Pas testit të alkoolit, rezultoi se Norra, i cili punon si specialist në Ministrinë e Brendshme, drejtonte automjetin tip “Audi” në gjendje të dehur. Policia e Sarandës bëri me dije se testi i parë i alkoolit tregoi nivelin 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë 1.42 mg/l.
Duke tentuar një parakalim të gabuar, automjeti i tij është përplasur kokë më kokë më makinën tip “Lancia” në të cilën ishin dy motrat dhe një shoqe e tyre. Përplasja rezultoi fatale për dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, përkatësisht 22 dhe 20 vjeçe.
Ndërkohë nga aksidenti mbeti e plagosur edhe 24-vjeçarja Antolena Zhupa. Kjo e fundit ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
23-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

