Kronike
Edhe Çopjat pjesë e kartelit ‘BELLO’! Narko-diplomati, Marset u krijoi lidhjet në Amerikën e Jugut

“Kompania Bello” është grupimi i parë kompleks i organizatave kriminale shqiptare të trafikut të drogës; një biznes me xhiro vjetore prej qindra milionë eurosh, i shtrirë në Amerikën e Jugut, Europë dhe Ballkan. ‘Bello’ është një bashkim operatorësh kriminalë, të cilët kanë detyra të qarta dhe fitime të veçuara nga njëri-tjetri dhe listës së anëtarëve, përveç Dritan Rexhepit dhe Eldi Dizdarit, i janë shtuar edhe vëllezërit Çopja.
Në një artikull nga media ‘Debate Uruguay’ tregohen lidhjet kyçe të klanit Çopja-Çela. Konkretisht Sebastián Marset, një narko-diplomat me shtetësi paraguajane dhe uruguajane, është figura kyçe që lidh kartelin shqiptar Çopja-Çela me rrjetin e drogës në Amerikën Latine. Nga ferma e tij në Paraguaj, “23 de abril”, Marset organizon ngarkesat e drogës, negocion çmimet dhe koordinon rrugët, duke siguruar lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit e kokainës boliviane dhe duke ofruar një strukturë logjistike të sofistikuar për klanin shqiptar.
Roli i tij është kritik për suksesin e operacionit, duke ofruar qasje të pamundur për kartelin shqiptar, si dhe duke menaxhuar rreziqet dhe çmimet e tregut të narkotikëve. Marset nuk është thjesht një furnizues i drogës, por një strategjist që përdor kamuflazh të sofistikuar dhe simbole të koduara për të kaluar ngarkesat nëpër Evropë, duke shfrytëzuar lidhje të forta me biznesmenë dhe politikanë të vendit. Ai është një ndërmjetës financiar dhe diplomatik që lidh strukturat evropiane dhe ato jugamerikane, duke ofruar një urë të rëndësishme për kalimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Në këtë mekanizëm, klani shqiptar Çopja-Çela nuk ishte klient, por partner. I udhëhequr nga Franc Çopja, i cili vepronte nga Dubai me pasaportë të rreme dhe mbrojtje lokale, karteli ishte pjesë e Kompania Bello, një rrjet prej të paktën 14 klanesh familjare me bazë në Shqipëri dhe degëzime në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Spanjë. Çopja u ekstradua për vrasje, por roli i tij shkonte përtej kësaj: ai ishte ndërmjetësi financiar dhe diplomatik i një strukture që funksiononte si një multinacional i krimit.
Marset ofronte atë që karteli shqiptar nuk mund ta siguronte vetë: qasje të drejtpërdrejtë te kokaina boliviane, operatorë të besueshëm në Paraguaj dhe një rrjet kamuflazhi të sofistikuar. Ai koordinohej me Diego Benítez, biznesmen paraguajan i lidhur me klubin Olimpia, kompania e të cilit Tupa SA fshihte drogën në kanoçe boje FOX. Shenjat mbi paketim – “sytë e rrufesë”, “simboli i pafundësisë”, “Singapori i kurorëzuar” – funksiononin si kode të brendshme për gjurmueshmëri.
Mes viteve 2020 dhe 2021, dy ngarkesa arritën një total prej 28 tonësh kokaine. Njëra mbërriti në Antverpë (11,6 t), tjetra u sekuestrua në Hamburg (16,4 t), konfiskimi më i madh në historinë evropiane. Bisedat e përfshira në dosjen gjyqësore zbuluan se Marset negocionte kompensimet për humbjet, si 600 kg e vjedhura në Roterdam. Roli i tij shkonte përtej trafikut: ai menaxhonte rreziqet, rregullonte çmimet dhe monitoronte zinxhirin sikur të ishte një treg mallrash.
Kompania Bello: ndërveprim mafioz dhe zgjerim global
Rrjeti Kompania Bello nuk funksionon sipas hierarkive, por sipas ndërveprimit. Çdo klan menaxhon qarkun e vet, por bashkëpunon në logjistikë, mbrojtje dhe pastrim parash. Europol e përkufizon atë si një: “strukturë kriminale e decentralizuar me aftësi për depërtim institucional dhe zgjerim territorial.”
Marset e kuptoi këtë logjikë dhe u integrua si partner rajonal. Amerika e Jugut furnizonte drogën; Evropa, infrastrukturën. Klani Çopja-Çela përdorte kompani fasadë në Dubai, Belgjikë dhe Republikën Domenikane për të pastruar asetet.
Kush është Marset
Marset ka lindur në Piedras Blancas, një lagje me shtëpi të vogla në nivele të ndara në periferi të Montevideos. Uruguai e kishte konsideruar veten prej kohësh si “Zvicra e Amerikës së Jugut”, me shkallën më të ulët të krimit në kontinent. Por në Piedras Blancas, teksa Marset u fut në vitet e adoleshencës, papritmas u shfaqën të rinjtë duke shitur dhe trafikuar drogë. Vrasjet pasuan shpejt. Marset ishte një student i shkëlqyer në shkollë, një fëmijë i dobët dhe i zgjuar që i pëlqente të qëndronte para të gjithëve dhe t’u jepte leksione shokëve të klasës sikur të ishte mësuesi. Megjithatë, kur u rrit, ai kishte vetëm një qëllim: Të luante si futbollist profesionist. Ai dhe miqtë e tij luanin në rruge. Por pasioni nuk ishte arsyeja se përse Marset donte që të bëhej futbolist, kryesoja ishin paratë.

