Shkrime
Eshtë në telashe/ Bloomberg: Plani i paqes në Gaza mund të funksionojë nëse “kopjon” Kosovën
Pse marrëveshja e paqes prej 20 pikash që Presidenti i SHBA-së Donald Trump ndërmjetësoi për Gazën, rreth 10 ditë më parë, duket se është tashmë në telashe?
Shkaku i thjeshtë i një zbërthimi kaq të shpejtë është se as Hamasi dhe as qeveria izraelite nuk ishin të kënaqur me marrëveshjen që u detyruan të nënshkruanin nga Trump dhe udhëheqësit e rajonit. Por, duke qenë se të dyja palët thanë që në fillim se nuk kishin ndërmend të zbatonin kushtet kryesore të marrëveshjes, “Pse po sillen keq?” është ndoshta pyetja e gabuar. Një pyetje më e mirë do të ishte: “Si është e mundur që ata t’ia dalin mbanë?”
Një mënyrë e mirë për të gjetur përgjigjen do të ishte të shqyrtonim atë që ndoshta është edhe modeli më i mirë për krijimin e një force paqeruajtëse për Gazën: Kosovo Force, e njohur më mirë si KFOR, e cila u formua në vitin 1999 dhe vazhdon të veprojë edhe sot, shkruhet në artikullin e Bloomberg.
Nuk është rastësi që strukturat e përcaktuara në planin 20-pikësh të Trump u bazuan në një propozim nga ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair. Këto në disa aspekte ngjajnë me ato që ai ishte i përfshirë në ndërtimin e tyre për Kosovën.
Forcat e NATO-s, KFOR, të cilat u vendosën në Kosovë pas 78 ditësh bombardimesh të Serbisë, arritën të mbushnin menjëherë boshllëkun e sigurisë sipas tij.
Sakaq, në rastin e Gazës, elementi i paqes i marrëveshjes së Trump, tha ai, është ende duke u përpunuar në Kajro. Bloomberg vëren se modeli i KFOR-it është një model për çdo mision të ardhshëm në Gaza, një forcë e sanksionuar nga Kombet e Bashkuara e udhëhequr nga vende myslimane si Egjipti, Azerbajxhani dhe Indonezia.
Edhe pse KFOR-i, sipas Bloomberg, nuk ishte perfekt, dhe fakti që është ende i pranishëm në Kosovë pas 25 vitesh e konfirmon këtë, ai përfaqëson një nga operacionet më të suksesshme paqeruajtëse. Për Gazën, mësimi është i qartë, boshllëku i sigurisë duhet të mbushet menjëherë, përndryshe çdo marrëveshje paqeje është e dënuar të dështojë.
Rasti KFOR, shkruhet në artikull, tregon se pa përgatitjen e forcave për të mbushur boshllëkun e sigurisë, asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të mbijetojë. Dhe për Gazën, vendi nga duhet të fillojë është Rafah, edhe nëse duhet të zbatohet gradualisht.