Connect with us

Shkrime

Balluku e pandehur/ Kushtetuesja anulon zgjedhjet e Tiranës

Erion Veliaj ka rimarrë sërish çelësin e zyrës së kryebashkiakut të Tiranës, e cila ka mbetur e boshatisur që nga data 10 shkurt, rreth nëntë muaj më parë, kur policia e mori për ta shoqëruar drejt qelive të paraburgimit. Edhe pse përballet me 13 akuza nga SPAK, Veliaj shënon fitoren e parë në një sallë gjyqi, pas një sërie disfatash me drejtësinë. Një fitore që, sado simbolike, i jep pak shpresë kryebashkiakut të burgosur megjithëse nuk pritet të ndryshojë shumë në përditshmërinë e tij.

Vendimi u mor me shumicë votash, 5 me 3, nga antarët e Gjykatës Kushtetuese, e cila jo vetëm e riktheu në detyrë duke rrëzuar firmën e Edi Ramës për shkarkimin, por anuloi edhe dekretin e presidentit Bajram Begaj, që kishte caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, ndonëse procesi ishte ende pezull.
Shpjegimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e zgjedhjeve të Tiranës

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se ka juridiksion të plotë për të shqyrtuar vendime të tilla, duke u mbështetur në nenin 115 të Kushtetutës, i cili i jep këtij institucioni kompetencën për të mbrojtur autonominë vendore dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

“Shkarkimi i një kryetari bashkie është një koncept kushtetues dhe kontrolli i tij i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese. Ajo që Kushtetuta nuk e ka thënë, nuk mund ta thotë ligji,” thekson vendimi.

Në këtë mënyrë, Gjykata i dha fund debatit mbi kompetencat e institucioneve në raste të tilla, duke e përjashtuar mundësinë që qeveria apo ndonjë organ tjetër të interpretojë në mënyrë të zgjeruar nenin 115 të Kushtetutës. Sipas vendimit, Këshilli Bashkiak dhe më pas Këshilli i Ministrave nuk i kanë garantuar Veliajt të drejtën për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur, siç kërkohet nga parimi i procesit të rregullt ligjor.

“Vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes nuk e çliron organin publik nga detyrimi për të garantuar të gjitha të drejtat procedurale të individit,” – vëren Gjykata.

Trupa gjykuese theksoi se mungesa e njoftimit dhe e mundësisë për të dhënë shpjegime e bën të pavlefshëm gjithë procesin, duke konstatuar se Veliajt i është cenuar e drejta për një proces të rregullt. Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se Këshilli i Ministrave nuk e kishte arsyetuar vendimin e shkarkimit si “shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve”, që është kushti i vetëm për ta larguar një kryebashkiak nga detyra. Në arsyetim thuhet se interesi publik nuk mund të përdoret si justifikim për të cënuar garancitë kushtetuese të një organi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët. Pasi shpalli të pavlefshëm shkarkimin, Gjykata vendosi të anulojë automatikisht edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj që caktonte zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Tiranë.

Sipas trupës gjykuese, ky dekret “është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës së krijuar nga një vendim tashmë i shfuqizuar”, prandaj edhe ai bie ndesh me nenin 115 të Kushtetutës.

PS merr frymë për zëvëndësimin e Belës “të pandehur” nga SPAK

Shumëkush mund ta lexojë këtë vendim si një triumf të gjyqësorit që i ka dhënë një grusht të fortë arrogancës së pushtetit me në krye Edi Ramën. Por në anën tjetër, vendimi i jep kohë për frymëmarrje Partisë Socialiste në Tiranë, e cila, pas përjashtimit të Veliajt, kishte dalë në fushatë me Ogerta Manastirliun, ndërsa drejtimin e skuadrës e mbante Belinda Balluku, njeriu që Rama e kishte ngarkuar për fushatën e kryeqytetit.

Balluku, e cila në zgjedhjet e fundit kishte marrë një rezultat rekord në Fier me 12 deputetë, shihej si modeli efektiv i mbledhjes së votave, një model që Rama synonte ta aplikonte në Tiranë. Me këtë në mendje, ai e piketoi Ballukun në krye të punëve të Tiranës në asamblenë e datës 11 Shtator. Mirëpo hetimet e shpejta të SPAK kundër saj i përmbysën planet. Dy javët e fundi profili i Belinda Ballukut pësoi një thyerje të fortë, duke krijuar një krizë në ekipin politik të PS-së për Tiranën.

Ajo u mor e pandehur të premten për një mega-skandal si ai i Tunelit të Llogarasë ku shuma e vjedhur varion nga 30 deri në 50 milion euro. Bashkë me të, këtë të hënë u thirrën për t’iu komunikuar akuza edhe disa nga njerëzit kyçë të skuadrës së saj.

Prandaj vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese mund t’i shërbejë Edi Ramës si një mundësi për të riekuilibruar forcat në Tiranë dhe për ta zhvendosur qendrën e peshës politike nga Balluku, me të cilën duket se raportet janë ftohur ndjeshëm ditët e fundit.

Çfarë pretendoi Erion Veliaj në sallën e gjykatës Kushtetuese

veliaj kushtetuese
veliaj kushtetuese

Në seancën maratonë prej gati tetë orësh, trupa gjykuese i dha Veliajt të drejtën të shprehej vetë në sallë, një mundësi që nuk ia kishte dhënë Këshilli Bashkiak gjatë procesit të shkarkimit. Ai e nisi fjalën me ton të përmbajtur, duke u vetëpërshkruar si një “i burgosur politik”, por më shumë se me SPAK-un, polemikat i drejtoi ndaj Partisë Socialiste dhe “mëkëmbësve” të Ramës, të cilët, sipas tij, kishin zbatuar dy standarde.

Veliaj akuzoi se ishte ndëshkuar në mënyrë selektive duke u shkarkuar nga detyra, ndërkohë që “kryetari i Bashkisë së Tropojës, i cili nuk paraqitej në detyrë prej 11 muajsh, nuk ishte prekur fare”.

Pra po ta dëgjoje gjatë replikës, konkluzioni ishte i qartë: “Si burgun, edhe shkarkimin e kam nga Rama” megjithatë, edhe pse akuzat ishin të qarta në përmbajtje, Veliaj nuk e përmendi kryeministrin me emër.

“Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë,” tha ai, “dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë.” u shpreh ai duke e paraqitur veten si viktimë të “etjes për karrierë”, “protagonizmit politik” dhe “kulisave të pushtetit”, duke pretenduar se po “sakrifikohej për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm që bien ndesh me ligjin.” Akuzat, ndonëse të nënkuptuara, i drejtoheshin qartazi Edi Ramës, njeriut që Veliaj e konsideron autor të manovrave që e rrëzuan.

Veliaj nuk i kurseu as bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm në Këshillin Bashkiak, të cilët kishin votuar për shkarkimin e tij: “Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë” u shpreh ai.

Si nisi aksioni i Ramës për ta hequr qafe Veliajn

Veliaj dhe Rama

Puna për nxjerrjen e Veliajt nga zyra e bashkisë së Tiranës nisi papritur më 11 shtator, në Asamblenë e Partisë Socialiste, kur Rama shpalli Ogerta Manastirliun si kandidate për Tiranën dhe Belinda Ballukun si drejtuesen e fushatës së zgjedhjeve të ardhshme.

 

Vetëm gjashtë ditë më pas, më 17 shtator, këshilltarët socialistë nënshkruan kërkesën për shkarkim, nën një klimë të fortë presioni politik. Vendimi u vulos më 23 shtator, në një mbledhje të Këshillit Bashkiak ku PS dhe PD votuan bashkë, dhe menjëherë pas kësaj Rama firmosi dekretin e shkarkimit. Presidenti Begaj nuk humbi kohë: më 1 tetor shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme për Tiranën.

 

Tani, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i gjithë ky proces shpallet nul. Kushtetuesja gjykoi se Këshilli Bashkiak, kryeministri dhe presidenti kanë shkelur nenin 115 të Kushtetutës, i cili përcakton qartë se një kryetar bashkie mund të shkarkohet vetëm për “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.

Duke i kthyer Erion Veliajt çelësat e zyrës në Bashki, Kushtetuesja rrëzoi automatikisht edhe garën e nisur për kryeqytetin mes Ogerta Manastirliut, Florian Binajt dhe Arlind Qorit. Por, përtej përpjekjeve të dëshpëruara të Erion Veliajt për çelësin e zyrës në bashki, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një sinjal për atë që duket si çelësi që hap dyert e një lufte të re në Partinë Socialiste, mes Edi Ramës dhe Belinda Ballukut./Lapsi.al

Advertisement