Politike
Partia e Lirisë i kërkon transparencë GJKKO për xhamin në gjyqin ndaj Metës
Partia e Lirisë i ka bërë thirrje Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që të garantojë transparencë të plotë në procesin gjyqësor ndaj kreut të PL Ilir Meta, duke kërkuar transmetimin live të seancave gjyqësore. Në një deklaratë për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, theksoi se kërkesa për transmetim të drejtpërdrejtë nuk është politike, por bazohet në parimin e publicitetit të gjykimit dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Partia e Lirisë mbështeti gjithashtu qëndrimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kundër përdorimit të kafazit të xhamit për Ilir Metën, duke argumentuar se kjo praktikë cenon prezumimin e pafajësisë dhe vështirëson komunikimin me avokatët.
Deklarata e Sekretares për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë Arla Merja
Në emër të Partisë së Lirisë kërkojmë me vendosmëri nga gjykata e posaçme të garantojë transparencën maksimale të procesit gjyqësor ndaj Presidentit, Ilir Meta, në respekt të parimeve dhe standardeve që garanton Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Transparenca është detyrim për çdo institucion dhe funksionar publik.
Të gjithë shqiptarët duhet të kenë mundësinë të ndjekin procesin nga sekonda e parë deri në sekondën e fundit.
Kërkesa jonë për transmetimin live të procesit nuk është një kërkesë politike dhe as një privilegj për Presidentin Meta. Ajo buron nga parimi i publicitetit të gjykimit, i sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit seancat gjyqësore janë publike, përveç rasteve të veçanta të parashikuara nga ligji. Në një proces me interes kaq të lartë publik, transparenca maksimale nuk është vetëm një mundësi, por një detyrim që buron nga vetë ligji, nga standardet kushtetuese dhe nga e drejta e qytetarëve për t’u informuar.
Gjithashtu, në emër të Partisë së Lirisë mbështesim rekomandimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për mospërdorimin e kafazit të xhamit.
Ky nuk është një proces i zakonshëm gjyqësor. Ky është një proces me interes të jashtëzakonshëm publik, që përfshin një ish-President të Republikës, ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar të Kuvendit. Për këtë arsye, standardi i transparencës duhet të jetë maksimal. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të informohet drejtpërdrejt mbi akuzat, provat, argumentet dhe mbrojtjen që paraqitet në sallën e gjyqit.
Është shumë e qartë se kur ndërtohet një proces politik, ajo që tremb më shumë është transparenca. Sepse transparenca u jep mundësinë shqiptarëve të dëgjojnë vetë, të shohin vetë dhe të gjykojnë vetë.
Kur themi të gjithë shqiptarët, nënkuptojmë të gjithë pa përjashtim. Jo vetëm mbështetësit e Partisë së Lirisë apo ata që mbështesin Presidentin Meta. Por çdo qytetar që kërkon të dijë të vërtetën për një proces që ka në qendër një nga figurat më të rëndësishme politike të vendit në tre dekadat e fundit.
Sot ata kanë në dorë një dosje bosh. Një dosje ku nuk ekziston asnjë fakt penal që implikon Presidentin Ilir Meta. Nuk ekziston asnjë provë penale e drejtpërdrejtë. Nuk ekziston asnjë veprim i paligjshëm i provuar. Nuk ekziston asnjë element që të justifikojë gjithë zhurmën politike dhe mediatike që është ngritur prej vitesh. Sa më shumë ecën ky proces, aq më e qartë bëhet se kemi të bëjmë me pretendime politike dhe jo me prova penale.
Dhe pikërisht për këtë arsye transparenca është ajo që i tremb më shumë ata që kanë vendosur të çojnë përpara këtë proces. Sepse kur faktet mungojnë, kur provat mungojnë dhe kur akuza nuk mbështetet në elementë penalë të qartë, e vetmja gjë që nuk dëshirohet është që qytetarët ta shohin vetë të vërtetën.
Kudo ku mungon transparenca, lind dyshimi. Kudo ku mbyllen dyert për publikun, lind pyetja se çfarë po tentohet të fshihet nga opinioni publik.
Po aq shqetësues është edhe refuzimi për të hequr dorë nga praktika e vendosjes së Presidentit Meta në kafazin e xhamit.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke iu referuar dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe praktikës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ka ngritur shqetësime serioze mbi këtë praktikë. Në deklaratat e tij publike, Komiteti ka vlerësuar se përdorimi i kafazit të xhamit është i pajustifikuar dhe problematik nga pikëpamja e respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Nga takimet e zhvilluara me personat që ndodhen në paraburgim është evidentuar se kushtet e krijuara nga këto kabina të xhamta vështirësojnë komunikimin me avokatët dhe cenojnë konfidencialitetin e mbrojtjes. Kjo prek drejtpërdrejt një nga të drejtat më themelore të çdo procesi të rregullt ligjor: të drejtën për një mbrojtje efektive.
Por problemi nuk mbaron këtu.
Kafazi i xhamit krijon gjithashtu një perceptim publik të fajësisë. Ai shndërrohet në një instrument paragjykimi dhe në një spektakël të panevojshëm që cenon prezumimin e pafajësisë. Askush nuk duhet të paraqitet para opinionit publik si fajtor përpara se një gjykatë të ketë dhënë një vendim të formës së prerë.
Është e papranueshme që për të justifikuar këtë praktikë të përdoren krahasime me raste terrorizmi, vrasjesh apo kriminelësh me rrezikshmëri të lartë. Nuk mund të vendosen në të njëjtin plan raste të tilla me Presidentin Ilir Meta. Këto krahasime nuk kanë asnjë lidhje me çështjen konkrete dhe nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse për të krijuar perceptime të rreme në opinionin publik.
Nëse Shqipëria pretendon të ndërtojë institucione sipas standardeve europiane, atëherë duhet të ndjekë standardet europiane edhe në trajtimin e të pandehurve. Drejtësia europiane nuk ndërtohet mbi spektaklin, por mbi dinjitetin njerëzor, mbi respektimin e të drejtave dhe mbi transparencën.
Një drejtësi e fortë nuk ka frikë nga transparenca. Një drejtësi e fortë nuk ka nevojë të fshihet pas dyerve të mbyllura. Një drejtësi e fortë nuk ka nevojë të krijojë imazhe paragjykuese përmes kafazeve të xhamit.
Për këtë arsye ne kërkojmë që procesi gjyqësor ndaj Presidentit Ilir Meta të transmetohet live dhe pa asnjë kufizim. Kërkojmë që të hiqet dorë nga praktika e vendosjes së tij në kafazin e xhamit. Kërkojmë respektimin e standardeve kushtetuese, ligjore dhe europiane të një procesi të drejtë.
Sepse nëse ky proces nisi me atë që ne e kemi konsideruar një rrëmbim politik, sot ai po vazhdon me një tjetër akt po aq të rëndë: rrëmbimin e transparencës.
Dhe askush nuk ka të drejtë t’u rrëmbejë shqiptarëve të drejtën për të parë, dëgjuar dhe gjykuar vetë atë që ndodh në emër të drejtësisë.
Shqiptarët meritojnë të dëgjojnë të vërtetën. Shqiptarët meritojnë transparencë. Dhe mbi të gjitha, shqiptarët meritojnë një drejtësi që nuk ka frikë nga sytë e publikut.