Connect with us

Aktualitet

Lejuan kalimin e kamionit me marijuanë, AMP pezullon 2 policët e pikës kufitare “Hani i Hotit”

Dy punonjës policie të pikës kufitare të Hanit të Hotit u pezulluan nga detyra dhe u vendosën në masën “detyrim paraqitjeje”, pasi lejuan kalimin e një kamioni që transportonte 114 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me marijuanën.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për B.Q, me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit” dhe E.K, me detyrë Trupë Shërbimi / Kontrollor në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) tha se masat ndaj dy punonjësve lidhen me rastin e ndodhur më 5 shtator, kur kamioni me targa të Bosnje-Hercegovinës, pasi doli nga Shqipëria, u ndalua në Mal të Zi. Gjatë kontrollit në këtë vend, u zbuluan 114 pako PVC.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar në nenet 242 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të thelluara me metoda speciale, në lidhje me ngjarjen e datës 05.09.2025, ku një kamion me targa të Bosnje-Hercegovinës, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë, është ndaluar nga policia malazeze. Pas kontrollit të ushtruar në kamion janë gjetur 114 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me lëndën narkotike marihuanë, me peshë bruto 131.7 kg”, thuhet në njoftim e AMP.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.

Advertisement