Bota
Putin: Nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës, nëse Perëndimi e trajton Rusinë me respekt
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë nuk do të ketë më konflikte, nëse Perëndimi “trajton Rusinë me respekt” dhe merr parasysh interesat e saj.
Ai i quajti “nonsens” pretendimet se Moska po planifikon të sulmojë vendet evropiane.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës së tij vjetore televizive “Direct Line”, një maratonë prej afro katër orë e gjysmë, ku Putin iu përgjigj pyetjeve të publikut dhe mediave. I pyetur nga BBC nëse Rusia po planifikon “operacione të reja speciale” (terminologjia që Kremlini përdor për luftën e plotë), ai u përgjigj: “Nuk do të ketë operacione nëse na trajtoni me respekt dhe nëse respektoni interesat tona”.
Ai ka akuzuar prej vitesh Aleancën për shkelje të një premtimi të supozuar të vitit 1990 – një pretendim i mohuar më pas edhe nga ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev.
Edhe pse u shpreh “i gatshëm” për t’i dhënë fund luftës “në mënyrë paqësore”, Putin nuk dha sinjale kompromisi. Ai përsëriti kërkesat e artikuluara më herët: tërheqjen e forcave ukrainase nga katër rajone pjesërisht të pushtuara dhe heqjen dorë të Kievit nga synimi për anëtarësim në NATO.
Kërkesë kyçe mbetet kontrolli i plotë i Donbasit lindor, përfshirë zona të rajonit të Donetskut që Rusia nuk i ka nën kontroll.
Putin pretendoi se forcat ruse po avancojnë përgjatë vijës së frontit dhe ironizoi vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Kupiansk.
Ai kërkoi gjithashtu zgjedhje të reja në Ukrainë si pjesë e propozimeve për paqe të paraqitura nga presidenti amerikan Donald Trump, duke thënë se Rusia do të ndalte bombardimet gjatë votimit.
Ekonomia dhe politika e jashtme
Në konferencë u trajtuan edhe vështirësitë ekonomike të Rusisë – rritja e çmimeve, ngadalësimi i rritjes dhe rritja e TVSH-së nga 20% në 22% nga 1 janari – ndërsa banka qendrore njoftoi uljen e normës bazë të interesit në 16%. Pyetje kritike u shfaqën sporadikisht në ekran, përfshirë ankesa për internetin dhe cilësinë e ujit.
Putin theksoi se ishte Perëndimi ai që “po bllokon marrëveshjen”, duke thënë se “topi është në fushën e kundërshtarëve tanë perëndimorë”, veçanërisht të udhëheqësve në Kiev dhe sponsorëve evropianë.
Konferenca, e mbajtur në Moskë me një hartë të madhe të Rusisë në sfond që përfshinte edhe territore të pushtuara të Ukrainës, u shoqërua me pretendimin e mediave shtetërore se mbi tre milionë pyetje ishin dërguar nga publiku.