Politike
“Mbyllet kapitulli më sfidues”/ Dumani “i dorëzoi çelësat”, Braho merr zyrtarisht detyrën
Ceremonia zyrtare për kalimin e detyrës nga Altin Dumani te kryetari i ri i SPAK, Klodian Braho, është zhvilluar mëngjesin e sotëm në ambientet e Porkurorisë së Posaçme.
Altin Dumani, mandati i të cilit përfundoi më datë 18 dhjetori, mbajti fjalimin e largimit nga detyra, duke shprehur mirënjohje dhe privilegjin e të qenurit në krye të SPAK. Me përgjegjësi dhe presione të mëdha, Dumani shprehet se ishte një ndër kapitujt më sfidues të karrierës së tij, ndërsa i uroi suksese Brahos për ta çuar para besimin e SPAK.
“Më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit. Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi, jemi ndeshur me vendime të vështira, presion, kemi punuar me integritet dhe profesionalizëm. SPAK është më i fortë, i besueshëm se më parë. Shpreh mirënjohje partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për ndërtimin e standardeve që kemi sot. Një falënderim shkon edhe për publikun shqipta , besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese zotit Braho duke e çuar para besimin e SPAK.”, shprehet Dumani.
Pasi Dumani i kaloi stafetën, Klodian Braho foli për herë të parë si kreu i ri i SPAK, teksa vlerësoi dy paraardhësit e tij, Krajën dhe Dumanin. Braho deklaroi se fokusi i detyrës së tij do të jetë funksionimi i ligjit.
“Dua të vlerësoj paraardhësin nën detyrë, zotin Kraja, si dhe Dumanin për integritetin e tij. Në ushtimin e detyrës fokusi im do të mbetet funksionimi i brendshëm, funksionimi i ligjit. BKH dhe hetimi financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK. Institucioni do të vijojë të komunikojë me mediat. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve personale, besoj se jemi skuadër që punojmë përkrah në zbatim të Kushtetutës dhe ne interes të shqiptarëve.”, tha Braho.