Connect with us

Politike

Të rrëzojmë Ramën për të shkuar në qeveri teknike/ Biberaj: Opozita gati për të ardhur në pushtet

Aleksandër Biberaj foli për aksionin politik të opoztiës, duke përfshirë qëndrime afatgjata në shesh dhe bllokim të akseve kryesore rrugore, porteve dhe aeroporteve, me synim krijimin e kushteve për një qeveri teknike.

Sipas Biberaj, qeverisja aktuale është “jo legjitime”, e bazuar në “vota të vjedhura” dhe e zhytur në “krim, korrupsion dhe skandale të paimagjinueshme”.

Për këtë arsye, beteja e opozitës synon rrëzimin e saj dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Gjithashtu Biberaj theksoi se me “këtë autokraci dhe krim elektoral”, është e pamundur që zgjedhjet të fitohen në kushte normale.

Biberaj: Politika mbi të gjitha është arti i kompromisit dhe politika nuk i përjashton kompromiset. Ne për 35 vite kemi bërë kompromise politike. Kuptohet, këto janë dy elementë të ndarë. Në qoftë se flasim për qeverisjen, kjo është qeverisje jo legjitime, bazohet në votat e vjedhura të zgjedhjeve të fundit dhe natyrisht është e zhytur në krim, korrupsion dhe në një sërë skandalesh të paimagjinueshme, të jashtëzakonshme. Dhe kjo qeveri nuk meriton të rrijë asnjë sekondë më në pushtet. Kështu që lufta jonë, beteja jonë si opozitë, patjetër është kundër qeverisë, për ta rrëzuar këtë qeveri, për të krijuar kushtet për një qeveri teknike, e cila absolutisht pastaj do të përgatisë vendin për zgjedhje, sepse dihet që me këtë, me këtë autokraci, me këtë krim elektoral, me miliarda euro të pista që qarkullojnë në ekonominë shqiptare në mënyrë informale, është e pamundur të fitosh zgjedhjet. Kështu që logjika është që ne duhet të rrëzojmë këtë qeverisje për të shkuar në një qeverisje teknike, e cila pastaj le të bëjë reformat për të përgatitur zgjedhjet. Natyrisht, mandati i qeverisjes teknike nuk është çështje ditësh dhe javësh, mund të jetë muaj, mund të jetë edhe një vit ose dy vite. Rëndësi ka që zgjedhjet e tjera të jenë të lira dhe të ndershme dhe patjetër opozita do të bëhet gati për të ardhur në pushtet.

Advertisement