Connect with us

Politike

Mediu: Procesi për Gërdecin është sajesë politike, SPAK nuk gjeti asnjë provë korrupsioni

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, e ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij për çështjen “Gërdeci” si një “sajese politike”, duke argumentuar se akuza për shpërdorim detyre është e pabazuar dhe se çështja ligjërisht është e parashkruar.

Mediu deklaroi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) e ka hetuar dy herë në mënyrë të thelluar, duke kërkuar të gjitha shpenzimet e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa gjetur asnjë provë për përfitim personal apo lidhje korruptive me kompanitë e përfshira në procesin e demontimit të municioneve.

“Nuk kanë gjetur asnjë evidencë dhe e kanë deklaruar që s’ka asnjë lidhje apo transaksion financiar apo marrëdhënie të interesit të Fatmir Mediut me kompaninë amerikane SAC apo me firmën Alba Demil. Pra nuk është as çështje korrupsioni,” theksoi ai, duke shtuar se kur nuk u gjet asnjë provë për korrupsion, u ndërtua akuza për shpërdorim detyre.

Lidhur me këtë akuzë, Mediu argumentoi se roli i tij si ministër ishte civil dhe jo ushtarak, dhe se ai nuk kishte përgjegjësi për çështje teknike siç janë kalibrat e municioneve.

Sipas tij, bazuar në parimin e kontrollit civil mbi forcat e armatosura, ministri mbështetet në vendimmarrjen e strukturave teknike ushtarake, siç është Shtabi i Përgjithshëm.

“Ministri i mbrojtjes nuk merret me çështje teknike ushtarake. Kjo është e ndaluar me ligj. Unë nuk jam oficer. Ministri vepron nëpërmjet urdhrave të bazuar në propozimet e hierarkisë ushtarake,” u shpreh Mediu.

Argumenti kryesor i mbrojtjes së tij është paligjshmëria e rihapjes së çështjes. Ish-ministri tha se çështja është gjykuar disa herë dhe ka vendime të formës së prerë.

Ai vuri në dukje se rihapja e dosjes pas rreth 16 vitesh bie ndesh me afatin 10-vjeçar të parashkrimit.

Sipas Mediut, pretendimi i prokurorisë për pezullim të afatit të parashkrimit është absurd dhe në kundërshtim me një vendim unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të tetorit 2023, i cili, sipas tij, konfirmon se nuk mund të ketë pezullim të parashkrimit. Duke e konsideruar të gjithë procesin të motivuar politikisht, Mediu deklaroi se prokuroria nuk ka asnjë fakt juridik, por vetëm “aludime” që nuk janë provuar as me dëshmitarë e as me dokumente.

Deklarata e plotë:

” Ana tjetër që unë e theksova dhe dje është që dy herë si prokuroria e SPAK-ut kanë hetuar dhe kanë kërkuar të gjitha shpenzimet e mia brenda dhe jashtë Shqipërisë, 360°, duke hetuar për ndonjë lidhje të mundshme ose ndonjë përfitim gjatë punës time si ministër.

Nuk kanë gjetur asnjë evidencë dhe nuk e kanë deklaruar që s’ka asnjë lidhje apo transaksion financiar apo marrëdhënie të interesit të Fatmir Mediut me kompaninë amerikane SAC apo me firmën Alba Demil.

Pra nuk është as çështje korrupsioni dhe kur i dolën nga duart të dyja këto marrëdhënie, padyshim që gjetën një mekanizëm për të ndërtuar një akuzë të shpërdorimit të detyrës, të cilën e bazojnë në shkelje të procedurave ushtarake, çështje që kanë të bëjnë me kalibrat e municioneve, edhe pse nuk tregojnë një bazë ligjore se ç’është kalibri i madh dhe kush është kalibri i vogël. Ministri duhet të ishte shkollë.

Shiko, ka një parim mbi të cilat funksionon Ministria e Mbrojtjes në të gjitha vendet demokratike dhe në mënyrë të veçantë në vendet e NATO-s. Është parimi i kontrollit civil të forcave të armatosura.

Ministri i mbrojtjes sipas kushtetutës dhe ligjit është civil. Ministri i mbrojtjes nuk merret me çështje teknike ushtarake. Kjo është e ndaluar me ligj. Ka një autoritet i cili është në të gjithë hierarkinë e vet ushtarake, duke filluar nga shefi i shtabit, komandat, shtabi i përgjithshëm e të tjerë, të cilët merren me çështje teknike dhe ushtarake.

Po ashtu ka dhe një ligj të Këshillit të Ministrave që flet për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Ministrave dhe detyrat e ministrit. Dhe thuhet qartësisht që ministri në të gjithë aktivitetin e tij mbështetet në vendimmarrjen dhe urdhërat e tij nga strukturat teknike ushtarake dhe nga ato juridike, ekonomike të ministrisë.

Ministri nuk është ushtarak dhe unë biles e kam pyetur vetë prokurorin, ç’është kalibri i madh e i vogël, meqënëse e ka ngritur akuzën dhe tha që unë nuk e di se nuk jam oficer, jam jurist. Po as unë nuk jam oficer. As një ministër nuk shkon me titullin e oficerit, shkon me titullin e civilit dhe të politikanit.

Dhe kur mendimi i tij të vjen nga e gjithë hierarkia ushtarake, nga shefi i shtabit dhe strukturat varëse të shtabit të përgjithshëm, ti nuk ke asnjë rrugë tjetër përveçse ta zbatosh edhe për faktin sepse shefi i shtabit është autoriteti më i lartë ushtarak dhe njëkohësisht këshilltari i ministrit të mbrojtjes, por është dhe këshilltari i presidentit dhe i kryeministrit.

Pse është kjo? Se në rastin se ministri i mbrojtjes luan mendsh dhe me veprimet dhe urdhërat e tij cënon sigurinë kombëtare apo krijon probleme strukturave të forcave të armatosura, atëherë shefi i shtabit ka mundësinë që t’i autorizojë, t’i drejtohet autoritetit që e kanë propozuar dhe e kanë mbrojtur, t’i thotë që ministri ka dalë mendsh.

Dhe në kohën kur ministri zbaton detyrimet që vijnë sipas propozimeve të shtabit të përgjithshëm apo strukturave juridike dhe teknike, ministri ka bërë detyrën e vet në bazë të ligjit dhe në bazë të kushtetutës”.

Advertisement