Pinknews
Punonte si mekanik/ Humb jetën në një aksident fatal 23 vjeçari egjiptian
Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në aksin Fushë-Krujë–Tiranë, në afërsi të fshatit Larushk, ku një 23-vjeçar me shtetësi egjiptiane ka humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Audi”, që drejtohej nga një 18-vjeçar me inicialet M.S., dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar. Për të shmangur përplasjen, drejtuesi i një automjeti “Volkswagen” ka devijuar, duke përfunduar në barrierat anësore të rrugës.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vend pasagjeri i automjetit “Volkswagen”, shtetasi egjiptian E.A., 23 vjeç. Sipas informacionit paraprak, i riu punonte si mekanik në kompaninë e 18-vjeçarit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme. Të dhënat mbi shkaqet e përplasjes janë paraprake dhe pritet të konfirmohen zyrtarisht nga hetimi.