Aktualitet
Kinematografia shqiptare në zi/ Ndahet nga jeta Abaz Hoxha, gur themeli për identitetin tonë kulturor
Kinematografia shqiptare është në zi, pasi sot është ndarë nga jeta Abaz Hoxha, një prej figurave më të rëndësishme të studimit dhe historisë së kësaj fushe.
Abaz Hoxha i kushtoi një jetë të tërë dokumentimit, analizës dhe promovimit të filmit shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të vyer prej 23 librash dhe duke hartuar Enciklopedinë e parë të Kinematografisë Shqiptare, një gur themeli për kujtesën dhe identitetin tonë kulturor.
Për 17 vite me radhë, ai drejtoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe kontribuoi në mënyrë të pazëvendësueshme në ruajtjen dhe zhvillimin e këtij institucioni kyç.
Vetëm pak muaj më parë, në dhjetor 2025, ai u nderua me Urdhrin e Skënderbeut, një vlerësim i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
Zëri i tij në mbrojtje të vlerave të filmit shqiptar dhe në evidentimin e figurave të mëdha të kinemasë sonë do të mbetet një referencë e rëndësishme për brezat që vijnë.