Connect with us

Politike

Draft-raporti i Parlamentit Europian/ Shqipëria në linjë me BE-në, por nën vëzhgim për fondet

Raporti i miratuar në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian evidenton një pozicion të fortë të Shqipërisë në politikën e jashtme, por njëkohësisht ngre çështje të ndjeshme që lidhen me fondet dhe bashkëpunimin rajonal.

Sipas draftit paraprak të shqyrtuar, Shqipëria vlerësohet për linjëzimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe për angazhimin në misionet ndërkombëtare dhe rolin në stabilitetin rajonal.

Po ashtu, dokumenti vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje, duke përfshirë trajnime të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve rajonale dhe globale.

Në nivel rajonal, Shqipëria vlerësohet për pjesëmarrjen aktive në nisma bashkëpunimi, por një element që tërheq vëmendje është paralajmërimi për nismat që zhvillohen jashtë kornizës së Bashkimit Evropian, duke përmendur nismën “Open Balkan”.

Sa i përket mbështetjes nga Bashkimi Evropian, dokumenti vlerëson asistencën financiare dhe teknike për Shqipërinë, por thekson se kjo duhet të lidhet drejtpërdrejt me rezultate konkrete në reforma,

Një nga çështjet më të ndjeshme lidhet me menaxhimin e fondeve. Drafti shpreh shqetësim për parregullsi serioze të identifikuara në programin IPARD II, duke kërkuar transparencë më të madhe, mekanizma kontrolli dhe masa korrigjuese të menjëhershme.

Në të njëjtën linjë, theksohet nevoja për përfshirje më të madhe të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në proceset e reformave dhe monitorimit të fondeve.

Dokumenti nënvizon gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për zhvillimin rural dhe reduktimin e diferencave mes zonave urbane dhe rurale, në përputhje me politikat e kohezionit të Bashkimit Evropian.

Ky version i raportit është bazuar në draftin e kompromisit të shqyrtuar nga Albanian Post dhe nuk përfaqëson tekstin përfundimtar, i cili mund të pësojë ndryshime deri në votimin e seancës plenare në Parlamentin Evropian.

Advertisement