Connect with us

Shkrime

Marshi i marrëzisë: Trump dhe hija e Kaligulës

Paqja botërore po shkatërrohet nga njerëz të krisur. Në çdo hap, ekonomitë po rrënohen dhe jetët po shuhen prej luftërave arbitrare dhe gafave politike. Është mbresëlënëse se sa shpesh këto veprime urdhërohen nga regjime dhe udhëheqës që janë të verbër jo vetëm ndaj logjikës së përbashkët dhe moralit, por edhe ndaj interesave afatgjata të popujve të tyre.

Mendoni pak për luftën e Vladimir Putinit për fshirjen e Ukrainës si shtet sovran: një konflikt i trilluar, që gjeneralët rusë premtuan se do të mbyllej brenda ditësh, e që tashmë po vazhdon në vitin e pestë të përgjakshëm.

Pastaj kaloni tek tmerret e Gazës dhe basti mizor i krerëve të Hamasit më 7 tetor 2023. Ata mendonin se egërsia e koordinuar do ta provokonte një Izrael të plagosur drejt tejkalimit të masës. Në fanatizmin e tyre, udhëheqësit e Hamasit nuk u shqetësuan se çmimin më të rëndë do ta paguanin palestinezët.

Në kundërpërgjigje, qeveria e Benjamin Netanyahut ka ndjekur një objektiv lufte padyshim të dënuar me dështim: paqtimin e plotë të Gazës përmes rrethimit dhe forcës brutale. Sot, Gaza nuk është në paqe, ndërsa është dëmtuar rëndë prestigji global i Izraelit.

Ekspozeja e gabimeve vijon me regjimin islamik të Iranit. Sido që të mbyllet lufta në Gji, mbijetuesit e asaj teokracie të zymtë e kuptuan se grumbullimi i të gjithë përbërësve për bombën bërthamore – pa e ndërtuar realisht pajisjen për të shkurajuar sulmin – nuk ishte ajo strategjia e pagabueshme që kishin menduar.

Tani ai ka ndezur një luftë në Gjirin Persik. Nëse skeptikët kanë të drejtë, dhe Amerika me Izraelin dështojnë ta kthejnë Iranin në një shtet të dëgjueshëm përmes bombave e bllokadave, por në vend të kësaj nxisin një garë armatimi në Lindjen e Mesme, atëherë gabimet e vetëshkaktuara të Trump do të kërkojnë një kapitull më vete për t’u analizuar.

Ligësia e botës nuk përbën ndonjë lajm. Tronditëse është vetëm kapaciteti i saj aktual për marrëzi. Tetëdhjetë vite pa një përplasje direkte mes fuqive të mëdha, një numër dëshpërues udhëheqësish duket se po kërkojnë sherr me çdo kusht, duke shpërfillur interesat kombëtare.

Për të pasur një këndvështrim më të gjerë, iu drejtuam historianes së mirënjohur të qeverisjes së keqe, të ndjerës Barbara Tuchman. Libri i saj i vitit 1984, “Marshi i Marrëzisë: Nga Troja në Vietnam”, analizon vendimet vetëshkatërruese nga antikiteti deri në epokën e Nixon-it.

Disa katastrofa mund t’i faturohen një individi. Për shembull, perandori aztek i shekullit të XVI, Montezuma, sundimtar i ushtrive të mëdha, iu dorëzua pasivisht nja 200 ushtarëve spanjollë, edhe pasi familjarët e tij e kuptuan se pushtuesit ishin thjesht njerëz të uritur për ar, dhe jo perëndi hakmarrëse siç frikësohej ai.

Ndërkohë, sundimtarët e Britanisë së shekullit të XVIII ndanin një faj kolektiv për humbjen e kolonive amerikane. Sipas Tuchman, Xhorxhi III dhe ministrat e tij i “prodhuan vetë rebelët”.

Shkaqet: snobizmi britanik, arroganca dhe injoranca ndaj realiteteve të Botës së Re.

Kjo u konsiderua marrëzi që në atë kohë. Opozita britanike mendonte se Amerika vlente shumë më tepër si partnere sesa për taksat që mund t’i vileshin, ndërsa lufta do të ishte rrënuese.

Mjerisht, lordët e sëmurë nga përdhesi që drejtonin Britaninë ishin përbuzës, duke i krahasuar kolonët me fëmijë që “duhet të jenë të dëgjueshëm”. Konti i Sandwich-it – më i zoti si shpikës sanduiçësh sesa si shtetar – e siguronte Shtëpinë e Lordëve se amerikanët nuk do të luftonin, duke i quajtur “njerëz të trashë, të padisiplinuar e frikacakë”.

Tuchman sugjeron se historianët mund të mësojnë pak nga sundimtarët budallenj si individë. Gabimet e tyre janë tepër idiosinkratike (personale). Interesi i saj qëndron te vetë-gjymtimi që ndërmerret nga një klasë sunduese dhe që “vazhdon përtej një jete politike”.

Një mendje idiote mund të bëjë dëm, por për katastrofa që ndryshojnë epokat, çelësi është “këmbëngulja te gabimi”. Paaftësia e qeverisë britanike ishte “marrëzi e sistemit”. Lufta e Vietnamit përfshiu tre presidentë radhazi.

Tuchman ka goditur në shenjë. Duke u rikthyer në të tashmen, pyetja që shtrohet është: a janë vizionet e Putinit, Netanyahut apo udhëheqësit të ri iranian, Mojtaba Khamenei, më të mëdha se ata vetë (pra, a do t’u mbijetojnë atyre)?

Pastaj vjen Trump. Nëse huqet e tij janë vetëm të tijat, ndikimi i tij duhet të zbehet pas mandatit. Por, marrëzitë e tij po mundësohen nga një grup i gjerë votuesish dhe zyrtarësh republikanë. A janë gabimet e tij sistemike?

Tuchman nuk është aspak ngushëlluese kur vëren një tjetër kategori keqqeverisjeje: paaftësinë që shfaqet kur një perandori rrëshqet drejt dekadencës. Etërit themelues të Amerikës diskutuan gjatë mbi degjenerimin e Republikës Romake në një perandori korrupte e brutale.

Ata i trembeshin tiranëve si Kaligula, i cili riemërtonte tempujt në nder të vetes dhe shijonte poshtërimin e elitave romake – përfshirë senatorët frikacakë që i dorëzuan pushtetin absolut. Shumë romakë të thjeshtë e donin Kaligulën si një “showman” që ngrinte monumente mermeri dhe organizonte parada ushtarake e ndeshje gladiatorësh sa më të përgjakshme. Për të treguar përbuzjen ndaj klasës sunduese, Kaligula kërcënoi se do ta bënte konsull kalin e tij.

Trump, i fiksuar pas statujave të arta dhe përleshjeve me grushte në kafaz, nuk ka emëruar ende ndonjë kalë në kabinet. Megjithatë, ai ka emëruar servilë të pakualifikuar në poste të larta, të cilët garojnë për besnikëri ndërsa grinden për privilegje zyre.

Amerikanët munden vetëm të shpresojnë që këto marrëzi të mbeten personale të epokës Trump dhe të korrigjohen pas një ose dy palë zgjedhjesh. Në të kundërt, një dekadencë e rrënjosur në sistem, do të ishte një gabim shumë më i vështirë për t’u ndrequr./Pamfleti nga  “The Economist”

Advertisement