Kosova
Spektator për interes/ Bieber: SHBA të jetë sa më pak e përfshirë në Kosovë
Analisti Florian Bieber duke folur per situaten dhe dialogun mes Kosoves dhe Serbise, tha se BE-ja e përdor këtë proces kryesisht për të siguruar që të mos ketë kriza të mëdha mes dy vendeve
“Është e qartë se paqëndrueshmëria politike në Kosovë nuk ndihmon, por nga ana tjetër kemi një qeveri në Serbi që është në një krizë të thellë legjitimiteti dhe që nuk ka qenë kurrë e gatshme të bëjë kompromiset e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pra, sa kohë që kjo qeveri është në pushtet në Serbi, nuk ka arsye të pritet ndonjë zgjidhje apo përmirësim. Mendoj se duhet të ndryshojnë disa gjëra. Duhet të ketë një ndryshim qeverie në Serbi. Kjo mund të ndodhë më së shpejti vitin e ardhshëm, dhe ka gjasa që Vuçiq të humbasë zgjedhjet dhe të ndodhë një transformim politik. Por ky proces ka shumë gjasa të jetë i vështirë dhe i trazuar, jo i lehtë. Dhe kushdo që vjen pas Vuçiqit, Kosova nuk do të jetë prioriteti kryesor i tij. Do të jetë një çështje shumë e ndërlikuar në Serbi. Fillimisht duhet të ketë një ndryshim në opinionin publik dhe në diskursin politik në Serbi, për të pranuar se politika e Vuçiqit e ka çuar Serbinë në një qorrsokak. Kjo do të marrë kohë. Prandaj mendoj se çdo përparim real në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë disa vite para se të mundë të nisë përsëri një proces serioz” – deklaroi Bieber
I pyetur se si ai e vlerëson rolin aktual të Bashkimit Evropian në këtë dialog, por edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në zhvillimet politike në Kosovë, analisti i njohur theksi se shpreson që Shtetet e Bashkuara nën presidencen e Donald Trump të jenë sa më pak të pranishme në Kosovë apo në çdo vend të Ballkanit, sepse nuk janë aktorë konstruktivë.
“Këtë e kemi parë edhe gjatë presidencës së parë të Trump-it. Nuk ka asgjë pozitive që mund të vijë nga një angazhim i fortë amerikan, sepse do të kishte të bënte kryesisht me Trump-in dhe jo me Kosovën apo Serbinë, apo me përmirësimin e marrëdhënieve. Në këtë kuptim, shpresoj që ai të mos “rizbulojë” apo “zbulojë” Kosovën dhe Serbinë në hartë” – deklaroi Bieber