Connect with us

Aktualitet

Fshati pranë Vjosës pa ujë/ Paradoksi që po shuan jetën në “Anë Vjosë”

Banorët e fshatit Anë Vjosë, në Memaliaj, prej vitesh përballen me një nga problemet më jetike: mungesën e ujit të pijshëm.

Ironikisht, vetëm pak metra larg shtëpive të tyre rrjedh lumi Vjosa, por në rubinetët e tyre nuk ka asnjë pikë ujë. Të detyruar nga kushtet e vështira, disa familje kanë hapur puse për të siguruar ujë, ndërsa të tjerë mbushin ujë tek fqinjët apo në zona më të largëta.

Kjo situatë ka rënduar ndjeshëm jetesën e përditshme dhe ka krijuar vështirësi të mëdha për banorët, sidomos për të moshuarit.

Problemet nuk ndalen këtu. Rruga që lidh fshatin me aksin kryesor është në gjendje të amortizuar, duke e bërë edhe më të vështirë lëvizjen dhe aksesin në shërbime bazë. Banorët shprehen se mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe ujësjellës ka ndikuar drejtpërdrejt në braktisjen e zonës.

Dikur me mbi 350 banorë, sot fshati numëron vetëm rreth 30 të tillë, kryesisht të moshuar. Të rinjtë janë larguar në kërkim të kushteve më të mira jetese, duke lënë pas një komunitet që po shuhet dalëngadalë.Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, për të rikthyer shpresën dhe jetën në këtë fshat që po përballet çdo ditë me harresën

Advertisement