Connect with us

Shkrime

Kujdes flamingo/ Mikrofoni duke mos ditur kur të heshtë, rrezikon të bëhet orteku që s’duhet

Vitjon Nina
E kam parë Revolucionin e Flamingove në të dy format e tij më të sinqerta, nga ekrani dhe nga rruga. Dhe në mënyrë paradoksale, ato nuk janë e njëjta protestë. Jo për shkak të numrave, jo për shkak të energjisë, por për një detaj që zakonisht cilësohet teknik: mikrofoni.

Në rrugë, flamingot janë të thjeshtë deri në brutalitetin e sinqeritetit. Ka zhurmë, ka ritëm, ka një lloj kaosi që nuk kërkon leje për të ekzistuar. Është një formë politike që nuk e ka luksin e koherencës, por ka një gjë që shpesh e zëvendëson atë: ndjesinë e mungesës së përfaqësimit.

Dhe ky është karburanti i vërtetë i çdo revolte. Marshimi nuk është argument, është gjendje. Është koreografi spontane e pakënaqësisë.

Por sapo hyn mikrofoni, ndryshon gjendja fizike e protestës. Jo metaforikisht – por realisht.

Duket qartë se në plan të parë qëndron një grup aktivistësh, me Gent Prognin si figurën më të dukshme, me Fatos Lubonjën e njerëzit pranë tij më në hije. Në vetvete, kjo nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, është pothuajse e pashmangshme që çdo lëvizje të prodhojë njerëzit e saj më të ekspozuar. Edhe përpjekja për të ruajtur kontrollin mbi podiumin është e kuptueshme deri në një farë mase. Por problemi lind kur ky kontroll fillon të ngatërrohet me vetë protestën.

Aty ku gjithçka humbet kuptimin është momenti kur në foltore ngjiten fëmijë për t’i kërkuar Edi Ramës dorëheqjen. Jo sepse nuk kanë të drejtë të jenë aty, por sepse protesta fillon të ngjajë më shumë me një performancë teatrale, se sa me një artikulim politik.

Në bulevard, shumica e fjalimeve dëgjohen pak. Jo pak herë shqiptohen koret “hiqni mikrofonat” dhe “nuk duam fjalime”.

Në ekran fjalimet dëgjohen më me zë, por kur bëhen të kuptueshëm krijohet një problem akoma më i madh. Njeriu kupton se mungon thelbi. Mungon përmbajtja. Mungon struktura që t’i japë kuptim revoltës që po shfaqet.

Ajo që mbetet janë disa pajisje zanore, disa figura që ndërrojnë njëra-tjetrën dhe një varg mendimesh të çrregullta, të cilat mund të funksionojnë në spontanitetin e rrugës, por jo në përgjegjësinë e një foltoreje që pretendon të përfaqësojë një lëvizje.

Nuk është e pazakontë të dëgjosh histori personale, episode banale, apo rrëfime që mund të kenë vlerë për atë që i tregon, por që humbasin çdo peshë politike kur artikulohen nga një podium që, në fund të fundit, kërkon dorëheqjen e kryeministrit të zgjedhur të vendit.

Dhe kush ka qenë fizikisht në bulevard e kupton menjëherë këtë ndarje. Rruga nuk pret fjalime. Ajo nuk funksionon sipas logjikës së argumentit, por sipas logjikës së përhapjes. Njerëzit nuk bashkohen sepse janë bindur nga një tezë e artikuluar mirë. Ata bashkohen sepse tërhiqen nga një ndjesi kolektive.

Në atë kuptim, marshimi është shumë më i vërtetë se çdo deklaratë.

Kam parë në të gjyshër që pedalojnë biçikletën me nipërit mbi to. Kam parë prindër që mbajnë fëmijët mbi supe apo për dore, ndërsa ecin mes turmës. Kam parë një brez të tërë të lindur pas viteve 2000, që në kaosin e brohorimave shfaq qartë një ndjenjë të fortë mos-përfaqësimi. Fytyrat nuk janë domosdoshmërish të ngrysura, por lodhja duket. Mllefi duket. Mendimi i ikjes duket. Edhe kur ata vetë nuk marrin mundimin ta artikulojnë.

Kam parë edhe kolegë gazetarë jashtë rolit të tyre profesional, të mbështjellë me flamur rreth qafës, të përzier mes grupeve të miqve, pa kamera, pa mikrofon, pa kërkuar vëmendje. Jo për protagonizëm. Jo për një vend në foltore. Por thjesht sepse ndajnë të njëjtën ndjesi me ata që marshojnë.

Ndoshta paradoksi më i madh i Revolucionit të Flamingove është pikërisht se ai nuk ka nevojë për mikrofon për të ekzistuar, por sapo merr mikrofonin, fillon të gjykohet sikur ekziston vetëm për të folur.

Dhe nëse vazhdon kjo logjikë, rreziku është i thjeshtë, por i thellë. Jo që protesta të dobësohet në rrugë, por që të humbasë besueshmërinë në përfaqësim.

Sepse në fund, nuk është orteku që e rrezikon mikrofonin. Është mikrofoni që, duke mos ditur kur të heshtë, rrezikon të bëhet orteku.

Advertisement