Connect with us

Shkrime

Albin Kurti duhet ta shohë derën e zyrës nga jashtë

Baton Haxhiu

Dorëzimi i listave për zgjedhjet e 7 qershorit e ka bërë më të qartë se kurrë një gjë që politika kosovare prej muajsh po përpiqet ta fshehë pas krizave procedurale dhe përplasjeve institucionale. Këto zgjedhje nuk janë më vetëm garë për qeveri. Janë garë për arkitekturën e ardhshme të pushtetit në Kosovë.

Dhe pikërisht për këtë arsye listat tregojnë më shumë sesa deklaratat politike.

Vetëvendosje hyn në këto zgjedhje si parti e pushtetit absolut, por njëkohësisht edhe si parti që po jeton me frikën e konsumimit. Për vite të tëra ajo u ndërtua si lëvizje proteste dhe mobilizimi permanent ishte energjia e saj kryesore. Problemi është se protesta jeton nga kriza, ndërsa qeverisja jeton nga stabiliteti. Dhe kur një parti nuk arrin ta bëjë këtë tranzicion psikologjik, ajo fillon ta prodhojë vetë krizën që dikur e përdorte për të ardhur në pushtet.

Kjo është arsyeja pse Kosova u fut në një cikël absurd zgjedhjesh të njëpasnjëshme edhe pse Vetëvendosje kishte shumicë solide parlamentare. Në sipërfaqe duket paradoksale që një parti me 67 deputetë të mos arrijë të krijojë stabilitet për veten. Por në thelb problemi nuk është mungesa e numrave. Problemi është se pushteti i konsoliduar kërkon kompromis, ndërsa Vetëvendosje gjithnjë e më shumë po sillet si një forcë që kompromisin e sheh si dobësi.

Prandaj këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje për qeveri. Janë përpjekje për të kapur institucionet pa pasur nevojë për marrëveshje politike me askënd.

Në këtë kontekst duhet lexuar edhe raporti me Vjosa Osmanin. Rikthimi i saj në politikë me listën e vet është pranim indirekt se asnjë figurë tjetër në Kosovë nuk ka arritur të krijojë të njëjtin kombinim të legjitimitetit ndërkombëtar dhe mbështetjes publike. Por paradoksi qëndron në faktin se ajo, edhe pse i ka shërbyer në çdo plan Albin Kurtit, është sot problemi më i madh strategjik i tij.

Sepse Vjosa Osmani nuk është vetëm figurë politike. Ajo është kanal komunikimi me Uashingtonin.

Pikërisht aty fillon tensioni real. Në Davos, House of Kosova e organizuar nga Kurti u zhduk nga vëmendja pas pjesëmarrjes së Osmanit në Bordin e Paqes. Simbolika ishte brutale. Ajo kishte bexhin e liderës. Kurti kishte bexhin e vizitorit. Më pas erdhi takimi me Marco Rubion dhe fjalia e Donald Trump “nëse keni problem me Serbinë, më telefono”, e cila praktikisht e vendosi Osmanin si partneren më të besueshme të amerikanëve në Kosovë.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse Kurti nuk e do më në presidencë. Jo sepse nuk i ka shërbyer. Përkundrazi. Problemi është se ajo tashmë ka legjitimitet paralel dhe mbi të gjitha e ka paralajmëruar ambicien e saj për mandat të ri presidencial në një mënyrë që politikisht është interpretuar si sfidë direkte ndaj Kurtit.

Pikërisht këtu hyn edhe emri i Murat Jasharit. Lehtësisht PDK mund ta nxjerrë si kandidaturë për president, jo vetëm për shkak të simbolikës patriotike, por për ta eliminuar Vjosa Osmanin si kandidate dhe për ta vendosur Kurtin në pozitë të vështirë politike. Sepse refuzimi i një kandidature me mbiemrin Jashari do të interpretohej si mungesë patriotizmi, ndërsa pranimi do ta zhvendoste krejt debatin nga Vjosa Osmani te simbolika kombëtare. Në këtë mënyrë, Osmani do të mbetej jashtë loje dhe Kurti do të humbiste kontrollin mbi narrativen që dëshiron të ndërtojë.

Nëse procesi dështon dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, atëherë Kurti e ka llogarinë e vet. Ai beson se zgjedhjet e vazhdueshme do ta konsumojnë AAK dhe do ta zvogëlojnë PDK deri në kuotat e LDK-së, duke krijuar një sistem ku ai nuk ka më nevojë të negociojë me askënd.

Megjithatë, për herë të parë ekziston një rrezik real që Vetëvendosje të humbasë një pjesë të konsiderueshme të energjisë së saj elektorale. Diaspora, që ka qenë oksigjeni emocional dhe numerik i saj, nuk duket më me të njëjtin entuziazëm. Kriza e pafundme, lodhja institucionale dhe ndjenja se pushteti po përdoret më shumë për kontroll sesa për reformë mund të prodhojnë rënie të numrave të saj.

VV mund të mbetet partia e parë, por jo më me dominimin psikologjik që kishte deri tani. Dhe pikërisht aty fillon problemi i saj i vërtetë, sepse një parti që është ndërtuar mbi idenë e forcës absolute e përjeton çdo rënie si krizë ekzistenciale.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani potencialisht mund t’i rrisë ndjeshëm numrat e LDK-së. Jo vetëm për shkak të votës tradicionale rugoviste, por sepse ajo mbetet figura e vetme që mund të rikthejë pjesë të elektoratit urban dhe të diasporës që janë larguar nga LDK-ja pas përçarjeve të viteve të fundit. Ajo i jep partisë një lloj legjitimiteti ndërkombëtar dhe emocional që LDK nuk po arrin ta prodhojë vetë.

Por kjo ka edhe rrezikun e vet. Sepse nëse LDK fillon të mbështetet vetëm mbi figurën e Osmanit dhe jo mbi reformimin e saj të brendshëm, atëherë ajo rrezikon të mbetet parti që jeton nga huazimi i figurave dhe jo nga prodhimi i tyre.

Lumir Abdixhiku po hyn në një fazë të rrezikshme politike, sepse për herë të parë duket se frika nga humbja po e shtyn drejt një arrogance që nuk prodhon më vizion, por vetëm ambicie forme. Vendimi për të konkurruar njëkohësisht për president dhe për kryeministër nuk duket si shenjë force politike, por si shenjë pasigurie. Një lider që është i sigurt në rrugën e tij zakonisht zgjedh një betejë dhe i jep kuptim asaj. Kur dikush kërkon dy poste njëkohësisht, krijohet përshtypja se nuk është më duke kërkuar drejtim për partinë, por strehë për veten.

Dhe pikërisht këtu nis problemi i sotëm i LDK-së. Kjo parti dikur kishte një kulturë politike ku forma ishte vetëm mjeti dhe përmbajtja ishte qëllimi. Sot duket sikur ka mbetur vetëm forma. Procedura. Eleganca e jashtme. Gjuha e kujdesshme. Simbolika institucionale. Por pa energjinë e brendshme që e bënte dikur një projekt politik me identitet të qartë.

Kjo është arsyeja pse arroganca e humbjes bëhet më e rrezikshme sesa vetë humbja. Sepse një lider që humb dhe nuk reflekton fillon të besojë se problemi nuk është te ai, por te koha, te rrethanat ose te të tjerët. Dhe në atë moment politika humb kontaktin me realitetin.

LDK po rrezikon të bjerë në këtë kurth. Në vend që të prodhojë ide të reja dhe ta rishkruajë kontratën e saj me elektoratin, ajo po sillet sikur mjafton korrektësia e sjelljes dhe kultura procedurale për ta rikthyer besimin.

Por qytetarët nuk votojnë vetëm seriozitetin formal. Ata votojnë energjinë, bindjen dhe ndjesinë se dikush ka guxim ta ndryshojë realitetin.

Dhe kur një parti fillon të jetojë vetëm nga forma, atëherë humbja nuk është më aksident zgjedhor. Bëhet gjendje psikologjike.

AAK, në anën tjetër, hyn në zgjedhje në momentin më delikat të ekzistencës së saj politike. Vendosja e Ardian Gjinit në krye të listës është sinjal i qartë se Ramush Haradinaj po kërkon tranzicion më institucional dhe më urban për partinë. Por kjo është njëkohësisht edhe rrezik.

Sepse elektorati tradicional i AAK-së është i lidhur emocionalisht me figurën e Ramushit dhe me kulturën politike të luftës. Nëse ky tranzicion perceptohet si largim nga identiteti origjinal i partisë, atëherë AAK mund të humbasë më shumë sesa fiton.

PDK, ndërkohë, hyn në zgjedhje me një problem të madh psikologjik dhe politik. Ajo vazhdon të jetojë nën hijen e Gjykatës Speciale dhe pritjes për vendimet në Hagë. Kjo pritje e ka ngrirë partinë mes dy gjendjeve, mes dëshirës për rikthim në pushtet dhe pamundësisë për ta ndërtuar një identitet të ri jashtë historisë së saj të luftës.

Kjo shpjegon edhe konfliktin rreth Fatmir Limajt. Refuzimi për ta futur në listë nuk është vetëm çështje personale. Është frikë nga prishja e ekuilibrave të brendshëm dhe pranimi indirekt se PDK ende nuk e ka vendosur nëse dëshiron të jetë parti e madhe pushteti apo parti e kontrolluar nga arkitektura e saj e brendshme.

Në këtë klimë po shfaqen edhe figura të reja. Përparim Gruda është ndoshta zëri më i qartë argumentues që PDK ka prodhuar në këtë periudhë. Ai ka diskurs, qartësi dhe strukturë politike. Dhe kjo e nxjerr në pah edhe më shumë problemin e partisë. Sepse Bedri Hamza mund të jetë administrator i mirë dhe njeri korrekt, por politika nuk jeton vetëm nga korrektësia. Politika kërkon fjalor, kërkon karizëm dhe kërkon aftësi për ta udhëhequr debatin publik.

LDK mbetet partia më paradoksale e këtij momenti. Kriza e saj shpërtheu para zgjedhjeve dhe jo pas tyre. Dhe pikërisht kjo mund ta shpëtojë. Sepse, ndryshe nga partitë e tjera, ajo e ka të qartë se problemi nuk është vetëm rezultati zgjedhor, por modeli i lidershipit dhe mënyra si është ndërtuar raporti mes partisë dhe pushtetit.

Për këtë arsye, pas zgjedhjeve mund të krijohen disa skenarë.

Skenari i parë është vazhdimi i krizës dhe përpjekja e Vetëvendosjes për të qeverisur e vetme me kontroll më të madh institucional.

Skenari i dytë është koalicioni mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, i cili dikur dukej i pamundur, por sot po bëhet gjithnjë e më racional për shkak të lodhjes së sistemit nga krizat e pafundme dhe për shkak të presionit ndërkombëtar për stabilitet.

Skenari i tretë është përpjekja e opozitës për të krijuar një qeveri në detyrë vetëm për ta larguar Albin Kurtin nga zyra dhe për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje. Por ky do të ishte koalicioni më i brishtë i mundshëm, sepse do të ndërtohej jo mbi një ide qeverisëse, por mbi refuzimin ndaj një njeriu.

Ky skenar po qarkullon gjithnjë e më seriozisht në qarqet politike dhe diplomatike në Prishtinë. Një pjesë e opozitës dhe njerëz pranë saj po e shohin krijimin e një qeverie të përkohshme jo aq si projekt afatgjatë qeverisës, por si akt politik simbolik dhe psikologjik ndaj Albin Kurtit.

Logjika e tyre është e thjeshtë. Ata besojnë se Albin Kurti është bërë aq dominant politikisht sa nuk mjafton më vetëm humbja numerike për ta dobësuar. Sipas këtij mendimi, ai duhet të përjetojë edhe momentin fizik dhe politik të largimit nga zyra e kryeministrit. Jo vetëm si ndërrim pushteti, por si thyerje e idesë se pushteti i tij është i përhershëm.

Për këtë arsye, një qeveri opozitare, edhe nëse do të ishte e brishtë dhe jetëshkurtër, do të kishte një funksion tjetër. T’i tregonte elektoratit dhe vetë Kurtit se pushteti mund të merret dhe mund të humbet. Dhe se republika nuk mund të ndërtohet mbi idenë e një lideri të pazëvendësueshëm.

Kjo është arsyeja pse disa figura opozitare nuk e përjashtojnë një qeveri të përkohshme që më pas ta çojë vendin përsëri në zgjedhje. Jo sepse besojnë se ajo qeveri do të stabilizonte Kosovën për një kohë të gjatë, por sepse duan të krijojnë një moment politik që e nxjerr Kurtin nga psikologjia e pushtetit absolut dhe e rikthen në logjikën normale të rotacionit demokratik.

Në Ballkan, largimi nga pushteti shpesh ka më shumë peshë simbolike sesa vetë ardhja në pushtet. Sepse liderët e gjatë krijojnë ndjesinë se shteti dhe pushteti janë e njëjta gjë. Dhe pikërisht këtë ndjesi opozita po tenton ta thyejë.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh i Kosovës sot. Asnjë parti nuk po hyn në zgjedhje me një rrëfim të qartë për shtetin. Të gjithë po hyjnë me një rrëfim për pushtetin.

Prandaj këto zgjedhje mund të prodhojnë qeveri të re, por jo domosdoshmërisht republikë më stabile.

Sepse, kur politika fillon të ndërtohet mbi kontrollin e institucioneve dhe jo mbi balancën mes tyre, atëherë demokracia vazhdon formalisht, por republika fillon të humbasë frymën e saj.

Advertisement