Kosova
Takim i fshehtë me Vuçiçin/ Albin Kurti s’ka përgjigje për akuzat e Vjosa Osmanit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zgjedhur të mos komentojë deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit, të cilat lidhen me një pretendim të saj për biseda të mundshme “sekrete” mes Kurtit, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ish-përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në Bruksel.
I pyetur nga gazetarët për këto akuza dhe për qëndrimin ndaj tyre, Kurti ka shmangur dhënien e një përgjigjeje.
Gjatë një tubimi Osmani ka deklaruar se Kurti nuk i ka treguar as Presidencës së Kosovës, as deputetëve, përmbajtjen e bisedave në kuadër të dialogut.
Ajo ka paralajmëruar se pas ciklit të ri zgjedhor do të iniciojë formimin e një komisioni parlamentar për të zbardhur detajet e bisedës Kurti–Vuçiç.
Ky reagim i Osmanit erdhi pas sulmeve të Lëvizjes Vetëvendosje për një takim, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, dhe ish-emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell, të mbajtur më 2025 në Nju Jork.
Ndryshe, takimi i fundit publik i nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç është mbajtur më 14 shtator 2023. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur takime mes tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, kryesisht për shkak të tensioneve pas sulmit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.