Sport
Koha e Edon Zhegrovës te Juventusi mbaroi, shqiptari ofrohet te gjiganti turk Galatasaray
Edon Zhegrova pritet të largohet nga Juventus-i gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa raportimet e fundit e lidhin atë me një destinacion surprizë në Turqi.
Sipas gazetarit turk Ferhat Kiziltas, Zhegrova i është ofruar Galatasaray-t, me kampionët turq që po e konsiderojnë si alternativë për Noa Lang, i cili pritet të rikthehet te Napoli gjatë verës.
27-vjeçari iu bashkua Juventus-it vetëm verën e kaluar, por nuk arriti të bindë në sezonin e tij të parë në Torino.
Anësori i Kosovës nuk ka regjistruar asnjë gol apo asist këtë edicion, duke mbetur jashtë planeve kryesore të skuadrës italiane.
Sipas raportimeve nga Italia, Juventus-i është i gatshëm ta lërë të lirë Zhegrovën për një shumë rreth 12 deri në 15 milionë euro.
Një transferim te Galatasaray mund t’i ofrojë reprezentuesit të Kosovës një mundësi të re për të rigjetur formën dhe rolin protagonist në futbollin evropian.