Connect with us

Politike

Qori sulmon ashpër Lapajn: Me pragun 4% po bëhet zëdhënës i Edi Ramës dhe Sali Berishës

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka sulmuar ashpër propozimin e Adriatik Lapajt për vendosjen e një pragu kombëtar 4% në zgjedhje, duke e cilësuar atë si një ide që favorizon vetëm partitë e mëdha dhe dëmton pluralizmin politik.

Në një intervistë për “Albanian News Cast” me gazetarin Arbër Hitaj, Qori tha se propozimi nuk është ide e Lapajt, por e Edi Ramës dhe Sali Berishës.

“Ky 4%-shi i famshëm është ide e përbashkët e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në këtë rast, zoti Lapaj është thjesht zëdhënësi i tyre”, deklaroi Qorri.

Sipas tij, qëllimi i dy partive të mëdha është të kufizojnë hyrjen e forcave të reja politike në Parlament dhe të ruajnë duopolin politik.

Qorri argumentoi se vendosja e pragut 4%, e kombinuar me rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, do të krijonte një standard të dyfishtë.

“Një parti brenda koalicionit mund të nxjerrë deputet me shumë pak vota, ndërsa një parti e re që garon e vetme duhet të kapërcejë 4% kombëtar. Kjo është e padrejtë dhe antidemokratike”, tha ai.

Kreu i Lëvizjes Bashkë shtoi se forca që drejton nuk ka ndërmend të hyjë në koalicione me partitë tradicionale.

“Ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në koalicion. Jo katër, po pesë apo gjashtë për qind ta bëjnë pragun, Lëvizja Bashkë do ta kapërcejë. Këtu nuk është problemi ynë, por mbrojtja e parimit të përfaqësimit”, deklaroi Qorri.

Ai kritikoi gjithashtu bisedimet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në diskutimet për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, duke i cilësuar si pjesë të së njëjtës logjikë politike.

“Rama dhe Berisha po kërkojnë të sigurojnë duopolin politik. Dakordësia e tyre nuk lidhet me interesin publik, por me ruajtjen e kontrollit mbi sistemin politik”, tha ai.

Kreu i Lëvizjes Bashkë përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi politik me Sali Berishën.

“As sot, as kurrë, as me Berishën dhe as pa Berishën. Ne jemi të ndarë përfundimisht nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste”, deklaroi ai.

Advertisement