Kronike
Aksidenti i betonieres në rrethrrotullimin e TEG/ Autoritetet: Egjiptianët nuk kishin patentë
Dy punonjësit egjiptianë, të cilët humbën jetën pasditen e së mërkurës në një aksident të rëndë pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, nuk rezultonin të pajisur me leje drejtimi.
Sipas informacionit të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), njëri prej viktimave ishte drejtuesi i kamionit pompë betoni, ndërsa tjetri ishte pasagjer në mjet. Kamioni, pas përplasjes me një automjet, doli nga rruga dhe ra nga lartësia në autostradë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
DPSHTRR bëri të ditur se dy punonjësit nuk kishin leje drejtimi dhe gjithashtu nuk ishin të pajisur me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) për profilin “Automakinist”, e cila kërkohet për drejtimin e mjeteve të caktuara profesionale.
Po ashtu, sipas autoriteteve, ata nuk kishin paraqitur dokumentacion për njohjen e aftësive profesionale për drejtimin e autobetoniereve.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, duke hetuar shkaqet që çuan në humbjen tragjike të dy jetëve.
Policia e Shtetit ditën e aksidentit konfirmoi se dy shtetas të huaj, të cilët udhëtonin në kamion, kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit.
Sipas njoftimit zyrtar, viktimat janë identifikuar si:
L., rreth 30 vjeç, drejtuesi i kamionit, i cili humbi jetën në vendngjarje;
A., rreth 44 vjeç, pasagjeri, i cili ndërroi jetë në spital, pavarësisht ndihmës mjekësore.
Nga aksidenti mbeti i plagosur edhe drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dinamikës paraprake të bërë publike nga Policia, rreth orës 16:20, kamioni pompë betoni u përplas fillimisht me një automjet tip fuoristradë në rrethrrotullimin e TEG-ut.
Si pasojë e përplasjes, mjeti i tonazhit të rëndë theu barrierat metalike mbrojtëse të mbikalimit dhe ra në nivelin e poshtëm të aksit TEG-Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Përplasja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa automjeti me të cilin u përplas kamioni u dëmtua rëndë.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.