Connect with us

Aktualitet

PROTESTA NE KUVEND/ DALIN NGA QELIA 21 TE NDALUAR

Janë liruar 21 nga 23 personat e shoqëruar nga Policia pas protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit të Shqipërisë dhe do të hetohen në gjendje të lirë.

Sipas informacioneve paraprake, nga personat e shoqëruar vetëm dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa për ta vijojnë procedurat ligjore.

Protestuesit u shoqëruan nga Policia gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar para Kuvendit, ku pati tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me akuzat ndaj dy personave të arrestuar dhe zhvillimin e mëtejshëm të procedurave.
Çfarë ndodhi

Protesta e zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, ndërsa pritej nisja e seancës plenare. Ndryshe nga protestat e mëparshme, Policia e Shtetit kishte vendosur një perimetër të zgjeruar sigurie rreth godinës së Parlamentit, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Deputetët kanë hyrë në Kuvend kryesisht nga hyrja anësore pranë Pedonales, pa u përballur me incidente fizike, por janë shoqëruar nga thirrjet e protestuesve kundër tyre. Mes sloganeve të dëgjuara ishin “Deputetë frikacakë”, “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Situata u tensionua kur protestuesit, të ndodhur përballë kordonit policor, nisën të hedhin vezë dhe domate në drejtim të efektivëve. Momenti më i fortë i përplasjes u shënua pranë hyrjes kryesore të qendrës tregtare “Toptani”, ku pas kalimit të një gruaje së bashku me një familjar me aftësi të kufizuara, disa protestues tentuan të shfrytëzonin hapësirën për të çarë kordonin e sigurisë.

Protestuesit arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur nga Policia dhe u përplasën me efektivët, duke i qëlluar me vezë dhe domate. Nga përplasjet mbetën të lënduar tre punonjës policie, ndërsa një prej tyre pësoi dëmtime në kokë.

Pas përshkallëzimit të situatës, Policia reagoi duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper për shpërndarjen e turmës dhe rikthimin e kontrollit në zonën para Parlamentit.

Protestuesit bllokojnë rrugët, një person shoqërohet

Pas përplasjeve pranë Kuvendit, disa protestues tentuan të bllokojnë edhe qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Elbasanit. Ata dolën në rrugë duke u bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që t’u bashkoheshin protestave.

“Fikni makinat” dhe “Bashkohuni me ne” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur bllokimin e trafikut.

Më pas, situata u zhvendos edhe në bulevardin “Zhan d’Ark”, ku protestuesit nxorën në rrugë kosha mbeturinash dhe tentuan të pengonin lëvizjen e automjeteve. Një protestues u shoqërua nga policia pas këtyre zhvillimeve.

Të lënduar nga të dyja palët

Gjatë përplasjeve u raportuan të lënduar edhe mes protestuesve.

Dy persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të djegieve të shkaktuara nga gazi lotsjellës dhe spraji me piper. Një tjetër protestues u dërgua drejt ambulancës pasi u godit në kokë nga një gur.

Pavarësisht dëmtimit, ai vijoi të bëjë thirrje për vazhdimin e protestës.

Reagime politike

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikoi pamje të një efektivi të Policisë të lënduar dhe deklaroi se situata nuk mund të konsiderohet më një protestë paqësore.

“Kjo nuk është më protestë paqësore”, u shpreh Balla, duke e cilësuar sulmin ndaj policisë si një përplasje me institucionet e shtetit.

Ndërkohë, opozita ka akuzuar qeverinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj qytetarëve dhe ka kërkuar që kërkesat e protestuesve të merren në konsideratë.

Pas momenteve të tensionuara, disa protestues tentuan të shfaqnin edhe një gjest pajtimi, duke u dhuruar lule efektivëve të policisë dhe duke shkruar mesazhe në asfalt.

Situata para Kuvendit vijon të monitorohet, ndërsa pritet zhvillimi i seancës plenare nën masa të shtuara sigurie.

Advertisement