Connect with us

Politike

“Besa” nis me Vjosë-Nartë, testi i parë për qeverisjen e re

Kryeministri Edi Rama u ka dorëzuar ministrave dhe drejtuesve të administratës dokumentin strategjik “BESA”, të cilin e paraqet si udhërrëfyesin e mandatit të katërt qeverisës. Dokumenti argumenton se, pas tre mandateve të përqendruara te transformimi fizik, institucional dhe ekonomik i vendit, sfida kryesore nuk është më ndërtimi i veprave të reja, por forcimi i besimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve.

Dokumenti strategjik “BESA”, të cilin Top Channel e disponon, përcakton çështjen Vjosë–Nartë si testin e parë praktik për zbatimin e modelit të ri të qeverisjes.

Sipas dokumentit, rasti Vjosë–Nartë do të shërbejë si provë për funksionimin e mekanizmave të rinj të parashikuar nga metoda BESA, përmes dëgjesës publike, analizës së evidencës, shpjegimit të vendimmarrjes dhe matjes së rezultateve. Dokumenti thekson se procesi nuk nis me një përfundim të paracaktuar për vijimin, ndryshimin apo ndalimin e projektit, por synon të testojë nëse një proces më transparent dhe i bazuar mbi prova mund të prodhojë një vendim më të besueshëm.

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me mënyrën e përgatitjes së vendimeve strategjike. Dokumenti parashikon që projektligjet, vendimet e Këshillit të Ministrave me ndikim të gjerë, vendimet për pronën publike, zonat e mbrojtura dhe investimet me interes të lartë publik të shoqërohen me dokumentacion të detyrueshëm që përfshin analizën e dëgjesës qytetare, evidencën mbi të cilën mbështetet vendimi dhe një shpjegim të qartë për publikun.

Sipas metodës BESA, performanca e institucioneve nuk do të vlerësohet vetëm mbi bazën e rezultateve administrative apo objektivave të realizuara, por edhe mbi nivelin e besimit që ato krijojnë te qytetarët. Dokumenti propozon që besimi publik të kthehet në një tregues të performancës institucionale, përmes matjeve të pavarura dhe të dhënave të publikuara.

Rama e paraqet BESA-n si themelin e mandatit të katërt qeverisës, të cilin e lidh me konceptin e tij për një fazë të re të zhvillimit të vendit, të quajtur “Rilindja 2.0”. Sipas dokumentit, kjo fazë nuk do të fokusohet vetëm te transformimi fizik dhe investimet, por te ndërtimi i një marrëdhënieje të re mes qytetarit dhe shtetit, ku qeverisja matet edhe nga aftësia për të dëgjuar, shpjeguar, korrigjuar dhe krijuar besim.

Advertisement