Connect with us

Politike

Rama aktivizon “radarin” elektoral në Tiranë, deputetët zbresin në terren për ankesat e qytetarëve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbledh sot në orën 11:00 të deleguarit politikë të Tiranës dhe deputetët e qarkut. Takimi vjen një ditë pas mbledhjes me drejtuesit politikë dhe ministrat, ku në qendër të diskutimeve ishte zbatimi në terren i dokumenteve “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Pas porosive të dhëna një ditë më parë për drejtuesit politikë në qarqe, fokusi tashmë zhvendoset te Tirana. Rama pritet të diskutojë me deputetët dhe të deleguarit politikë mënyrën e organizimit të punës në territor dhe forcimin e kontaktit të strukturave socialiste me qytetarët.

Në mbledhjen e djeshme, kryesocialisti u ka kërkuar drejtuesve politikë të jenë më të pranishëm në zonat e tyre elektorale dhe të marrin në terren shqetësimet e qytetarëve.

Bashkë me strukturat e PS-së, deputetët dhe kryetarët e bashkive do të hartojnë një axhendë takimesh me qytetarët, ku do të evidentohen problematika të ndryshme, nga çështjet individuale te shqetësimet që lidhen me rrugët, mbetjet, investimet dhe shërbimet publike.

Shqetësimet e mbledhura në terren do t’u përcillen ministrive përgjegjëse, ndërsa ndjekja institucionale e tyre deri në zgjidhje do t’i besohet një zëvendësministri.

“Besa” dhe “Prania Besnike” zbresin në terren

Kjo është edhe mënyra përmes së cilës socialistët synojnë të zbatojnë dokumentin “Besa”, i cili vendos në qendër dëgjimin e qytetarëve.

Ndërsa “Prania Besnike” synon një angazhim më të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë në territor, duke i kërkuar strukturave dhe drejtuesve të jenë më pranë komuniteteve.

Në këtë kuadër, problematikat e evidentuara nga qytetarët nuk do të mjaftohen vetëm me mbledhjen e tyre, por do të ndiqen në nivel institucional deri në marrjen e një zgjidhjeje.

“Pasqyrë Albania”, ankesat me përgjigje brenda dy javësh

Në mbledhjen e djeshme është diskutuar gjithashtu për ndryshimet ligjore që kërkon platforma e re “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga Rama në Pogradec.

Synimi është krijimi i një mekanizmi për grumbullimin dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve, me objektivin që ato të marrin përgjigje brenda dy javësh.

Platforma parashikon dy mekanizma kryesorë: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet, dhe “Radar”, i cili do të ndjekë rrugën që përshkon një problem nga momenti i raportimit deri te trajtimi nga ministritë, bashkitë apo institucionet e tjera.

Tirana, në fokus edhe për zgjedhjet e 2027

Takimi i sotëm merr një peshë të veçantë edhe për shkak të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, të cilat po afrohen në horizontin politik.

Rama kërkon që struktura e PS-së të jetë më aktive në terren, duke e kthyer kontaktin me qytetarët në një pjesë qendrore të organizimit politik dhe institucional.

Mbledhja për Tiranën zhvillohet gjithashtu në një moment të veçantë për drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit. Vetëm një ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj, aktualisht në qeli, tërhoqi delegimin e kompetencave për nënkryetaren Anuela Ristani, duke argumentuar se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij.

Në këtë klimë politike dhe institucionale, socialistët e Tiranës pritet të marrin sot udhëzimet e reja për organizimin në terren, ndërsa “Besa” dhe “Prania Besnike” synojnë të shndërrohen në mekanizma konkretë për lidhjen e strukturave të pushtetit me qytetarët.

Advertisement