Aktualitet
Shpataraku para GJKKO-së, i hiqet leja e armës dhe i sekuestrohet arsenali në banesë
Teksa për pak minuta, pritet të përballet me drejtësinë pasi akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” rasti konkret për Ergys Agasin, dhe “Kanosje” ndaj një pjese të stafit të një hoteli në Dhërmi, ish-policit të lartë, Ulian Shpatarakut mësohet se i është hequr leja e armës. Po ashtu bëhet me dije se Policia i ka sekuestruar dhe arsenalin e armëve që mbante në banesë, konkretisht: 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë.
Në orën 11 të ditës së sotme, pritet të nisë seanca gjyqësore ndaj Shpatarakut, arratia e të cilit mori fund pasditen e 26 gushtit, kur u arrestua në të njëjtën makinë me biznesmenin e shumëkërkuar të SPAK, Ergys Agasin, i cili akuzohet për një sërë akuzash që lidhen me skandalin e AKSHI-t, për të cilat aktualisht ndodhet në paraburgim.
Shpataraku, i cili ishte shofer në “Aud-“in luksoz ku Policia arrestoi në flagrancë Agasin, përveçse akuzohet për veprën penale “Kanosje” ndaj një stafi të një hoteli në Dhërmi, akuzohet gjithashtu dhe për “Përkrahje të autorit të krimit”. Sot pritet të mësohet nëse SPAK do ta hetojë Shpatarakun si pjesë të grupit kriminal të Ergys Agasit, i arrestuar gjatë një operacioni të koordinuar mes BKH-së dhe Policisë së Shtetit.