Kosova
Shkrimtari serb: Serbia i ka fshehur krimet për një shekull e gjysmë, por era e keqe ka dalë në sipërfaqe
“Gjurmët institucionale të Serbisë në Kosovë u fshinë në Kumanovë në vitin 1999” – Keshtu deklaroi shkrimtari i njohur serb Svetislav Basara.
Në një intervistë me revistën Radar, duke komentuar politikat aktuale të regjimit ndaj Kosovës, Basara nuk u pajtua me pohimin se Aleksandar Vuçiç po fshin gjurmët e fundit të pranisë shtetërore serbe në Kosovë. Ai tha se gjurmët e fundit të pranisë shtetërore serbe në Kosovë janë fshirë në një proces që përfundoi gjeopolitikisht shumë më herët.
Sipas Basarës, gjurmët e fundit të shtetësisë serbe në Kosovë u fshinë në mënyrë efektive ditën kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës në vitin 1999. Të gjitha strukturat ose “institucionet” që Beogradi pretendonte se i mbante atje pas luftës nuk ishin gjë tjetër veçse imazhe të rreme të krijuara për konsum të brendshëm politik, ashtu siç janë bërë vetë institucionet e Republikës së Serbisë, shtoi Basara.
Sipas shkrimtarit serb, rënia e Serbisë në gjendjen e saj aktuale nuk mund t’i atribuohet vetëm Aleksandar Vuçiçit apo edhe Slobodan Milosheviqit. Basara pohon se situata aktuale është produkt i mbeturinave të fshehura për më shumë se një shekull e gjysmë.
“Vuçiqi nuk është ai që e bëri Serbinë atë që është sot; ai vetëm sa hoqi dorezat dhe velin e fundit nga fytyra e saj e shëmtuar. Qilimi nën të cilin për më shumë se një shekull e gjysmë regjimet fshehën krime dhe vepra të ndyra është kalbur dhe përmbajtja me erë të keqe ka dalë në sipërfaqe”, theksoi Basara.