Connect with us

Bota

SHBA godet objektivat iraniane pranë Ngushticës, shpërthime në tre porte

Një valë e re sulmesh ajrore amerikane është raportuar të martën pasdite ndaj objektivave iraniane në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit.

Sipas raportimeve fillestare nga mediat e huaja, shpërthime janë dëgjuar në Bandar Abbas, Shirik dhe Jask, tre zona portuale me rëndësi strategjike pranë ngushticës. Shpërthime janë raportuar gjithashtu në ishullin Qeshm, si edhe në Konarak dhe Chabahar, në juglindje të Iranit.

Për momentin, nuk ka një informacion të plotë mbi objektivat konkrete të goditura apo dëmet e shkaktuara nga sulmet.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka konfirmuar se forcat amerikane kanë nisur sulme ndaj objektivave që lidhen me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Sipas CENTCOM, operacioni vjen pas veprimeve të fundit që SHBA i atribuon Gardës Revolucionare, përfshirë veprime ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe ndaj personelit ushtarak amerikan të dislokuar në rajon.

Zhvillimet e fundit rrisin më tej tensionet në një nga pikat më strategjike të transportit detar dhe energjisë në botë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Irani do të reagojë ndaj sulmeve amerikane.

Advertisement