I shpëtoi jetën Rozalinda Plakut, kryepolici Hita ngre në detyrë Mariglen Koroveshaj
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vlerësuar punën dhe reagimin e efektivëve të DVP Fier gjatë disa ngjarjeve të rënda kriminale.
Në mënyrë të veçantë, Hita ka vlerësuar ish-shefin e Stacionit të Policisë Roskovec, komisar Mariglen Koroveshaj, duke i akorduar gradën policore Kryekomisar. Koroveshaj do të nisë një detyrë të re në strukturat e DVP Berat.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm, vendimi për promovimin erdhi pas ndërhyrjes së Koroveshajt në një situatë pengmarrjeje, ku një vajzë mbahej e izoluar nga ish-i dashuri i saj, pasi ky i fundit kishte vrarë më parë prindërit e saj.
Hita tha se efektivi zgjodhi komunikimin dhe negocimin, duke arritur të krijojë kontakt me autorin, të menaxhojë situatën dhe të mundësojë shpëtimin e vajzës.
Në takim u vlerësua edhe puna e Policisë për kapjen e autorit të vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, i cili ishte fshehur në bagazhin e një automjeti, si dhe për kapjen e autorit të vrasjes së një gruaje dhe plagosjes së bashkëshortit të saj në Lushnjë.
Sipas Policisë, këto rezultate janë arritur falë koordinimit dhe punës në grup, me një rol të veçantë të efektivëve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Në shenjë vlerësimi, efektivët e angazhuar në këto operacione do të shpërblehen me nga një pagë mujore, me propozim të Drejtorit Vendor të Policisë Fier.
Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita theksoi se reagimi profesional në situata ku rrezikohet jeta e qytetarëve duhet të shërbejë si model për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.