Connect with us

Aktualitet

“Gonxhe për ne, Nënë Tereza për botën”/ Mesazhi i Meidanit pas debatit për “mono-manifestimin” në Shkup

“Gonxhe për ne. Nënë Tereza për botën. Shenjtore për njerëzimin.”

Ky nuk është thjesht një mesazh përkujtimor. Të paktën në kontekstin e debatit të hapur pas festimeve të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, postimi i ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, mund të lexohet edhe si një mesazh diplomatik i koduar.

Në një kohë kur në Shkup po diskutohet gjerësisht për mungesën e përfaqësimit shqiptar në manifestimin shtetëror, Meidani zgjedh të rikthejë në qendër të vëmendjes një figurë që lidh në mënyrë të pazëvendësueshme Shkupin, identitetin shqiptar dhe përmasën universale të njerëzimit: Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën.

Ambasadori nuk përmend koncertin. Nuk përmend qeverinë. Nuk përmend mungesën e artistëve shqiptarë dhe as debatin për “mono-manifestimin”.

Por mesazhi i tij është i qartë në një pikë: kur flet për Nënë Terezën, ai e vendos identitetin shqiptar në mënyrë eksplicite në qendër.

“E lindur në Shkup Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza mori me vete identitetin, besimin dhe forcën e prejardhjes së saj shqiptare, dhe misionin e saj e shtriu në mbarë botën.”

Dhe këtu qëndron pesha e mesazhit.

Sepse vetëm një ditë pasi u ngritën pyetje se sa shtetërore ishte një festë ku shqiptarët munguan nga skena, nga Shkupi vjen një rikujtim diplomatik: qyteti që feston historinë e shtetit të sotëm është gjithashtu qyteti ku lindi Gonxhe Bojaxhiu, një shqiptare që më pas u bë Nënë Tereza dhe një nga figurat më të njohura humanitare të botës.

Një përgjigje pa përmendur askënd

Diplomacia shpesh nuk flet me deklarata të drejtpërdrejta. Ndonjëherë flet përmes simbolikës.

Meidani nuk thotë: “Shqiptarët u përjashtuan.”

Nuk thotë: “Manifestimi ishte mono-etnik.”

Por zgjedh të shkruajë për “identitetin” dhe “prejardhjen shqiptare” të një figure të lindur pikërisht në Shkup.

Dhe në fund e përmbledh në tri fjali:

“Gonxhe për ne.
Nënë Tereza për botën.
Shenjtore për njerëzimin.”

Nëse ky postim ishte menduar edhe si përgjigje ndaj klimës së krijuar pas manifestimit shtetëror, atëherë është një përgjigje jashtëzakonisht diplomatike: pa përplasje, pa akuza dhe pa përmendur drejtpërdrejt askënd, por me një simbol që është e pamundur të injorohet.

Nga “mungesa” te prania historike

Debati nisi nga një skenë ku, sipas raportimeve, në koncertin e organizuar në Shkup nuk kishte artistë shqiptarë mes mbi 30 pjesëmarrësve.

Por historia e Shkupit nuk mund të shkruhet vetëm me emrat që ngjiten në një skenë.

Në këtë qytet lindi Gonxhe Bojaxhiu.

Ajo mori me vete identitetin e saj shqiptar dhe më pas e shndërroi emrin e saj në një simbol botëror të humanizmit.

Prandaj, në mes të debatit për një festë shtetërore që kritikët e kanë cilësuar si “mono-manifestim”, mesazhi i ambasadorit mund të lexohet si një rikujtim elegant se prania shqiptare në këtë vend nuk matet vetëm me atë se kush është në skenë në një koncert.

Ajo është pjesë e historisë, e kujtesës dhe e vetë identitetit të Shkupit.

Ndoshta Meidani nuk zgjodhi të polemizojë me “mono-manifestimin”.

Zgjodhi t’i përgjigjet me Gonxhen.

Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që e bën mesazhin diplomatik: nuk bërtet, por kujton. /Gazeta Flaka

Advertisement