Aktualitet
BOMBA NE SALLAM/ CONAD përgënjeshtron alarmin e AKU: ZERO produkte u shitën
Një ditë pas alarmit për sallamin “Galbanetto”, çështja merr një tjetër zhvillim. Conad Albania deklaron se loti i produktit të sinjalizuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) si me “risk serioz” nuk është vendosur asnjëherë në shitje dhe se asnjë produkt i këtij loti nuk ka arritur te konsumatorët.
Alarmi u bë publik më 9 shtator, kur AKU njoftoi konsumatorët pas një sinjalizimi të ardhur përmes sistemit europian RASFF, lidhur me praninë e një trupi të huaj në produktin “SALAME GALBANETTO G230 c.a”.
Bëhet fjalë për lotin L.264173, me datë skadence 23 tetor 2026. Sipas njoftimit, rasti ishte raportuar nga Italia dhe ishte klasifikuar me nivel risku “serioz”.
Në njoftimin e tij, AKU u bëri thirrje konsumatorëve që, nëse e kishin blerë produktin, të mos e konsumonin dhe ta kthenin në pikën e shitjes.
Por pas këtij njoftimi, Conad Albania ka dalë me një version tjetër të situatës, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si rasti iu komunikua publikut.
Conad: Në Shqipëri mbërritën vetëm 16 copë
Sipas Conad Albania, në Shqipëri kishte mbërritur vetëm një karton me 16 copë të lotit të prekur.
Kompania deklaron se ishte informuar për problemin që më 31 gusht dhe se të 16 produktet ishin identifikuar dhe izoluar përpara se të vendoseshin në raftet e shitjes.
Conad pretendon gjithashtu se më 8 shtator, një ditë përpara njoftimit publik të AKU-së, Autoriteti kreu verifikimin përkatës dhe konstatoi se produkti nuk kishte dalë në treg, nuk ishte shpërndarë dhe nuk ishte vendosur për shitje në pikat e Conad Albania.
Sipas kompanisë, pikërisht ky informacion nuk është përfshirë në njoftimin publik të AKU-së.
Pse u paralajmëruan konsumatorët?
Këtu ngrihet pyetja kryesore e kësaj historie.
Nëse, sipas pretendimit të Conad, AKU kishte verifikuar se të 16 produktet ishin izoluar dhe asnjë prej tyre nuk kishte arritur te konsumatorët, përse në njoftimin publik u bë thirrje qytetarëve që, nëse e kishin blerë produktin, të mos e konsumonin dhe ta kthenin në pikën e shitjes?
Dallimi mes dy komunikimeve është i rëndësishëm, pasi njëri krijon përshtypjen se produkti mund të ketë arritur te konsumatorët, ndërsa versioni i Conad është se asnjë nga 16 produktet e lotit problematik nuk është shitur.
Deri tani, nuk ka një sqarim të ri publik nga AKU që të konfirmojë ose të kundërshtojë në mënyrë specifike deklaratën e Conad Albania se në vend kanë mbërritur vetëm 16 copë dhe se zero prej tyre janë shitur.
Dy pyetje për AKU-në
Në këto kushte, mbeten dy pyetje kryesore që kërkojnë një përgjigje zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit:
- A konfirmon AKU se në Shqipëri kanë mbërritur vetëm 16 copë të lotit L.264173?
- A konfirmon AKU se asnjë prej tyre nuk i është shitur konsumatorëve?
Nëse këto të dhëna konfirmohen, atëherë fokusi i çështjes ndryshon. Pyetja kryesore nuk do të ishte më nëse konsumatorët shqiptarë janë ekspozuar ndaj këtij loti, por nëse njoftimi publik i AKU-së përmbante të gjithë informacionin që Autoriteti kishte në dispozicion në momentin e paralajmërimit.
Në pritje të një përgjigjeje zyrtare, mbeten për t’u sqaruar sasia e importuar, sasia e bllokuar dhe nëse ndonjë produkt i lotit të sinjalizuar ka arritur realisht në duart e konsumatorëve.
NTV do t’i drejtohet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për një përgjigje zyrtare mbi këto çështje.