✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Blushi kritikon Begajn pas dekretit për zgjedhjet vendore: Presidenti, noter i kryeministrit!

Dekretimi i 9 majit 2027 si datë për zgjedhjet vendore ka sjellë akuza nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ndaj Presidentit Bajram Begaj. Në një postim në Facebook, Blushi shkruan se data është caktuar nga kryeministri Edi Rama dhe se Begaj vetëm e ka dekretuar, duke e cilësuar kreun e shtetit “noter të vendimeve të Edi Ramës”.

Sipas Blushit, vendimi i sotëm justifikon edhe refuzimin e Partisë së Lirisë për të marrë pjesë në konsultimet e thirrura nga Presidenti. Ai akuzon Begajn se po shpërfill protestat dhe kërkesat e studentëve e gjimnazistëve, ndërsa përsërit propozimin e PL-së që Presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit

BEGAJ NUK ZHGËNJEN ASNJËHERË! AS KËSAJ RADHE!

Edi Rama ia caktoi datën, Bajram Begaj e dekretoi!

Kaq mjafton për të kuptuar se ku qëndron realisht në hierarkinë e shtetit dhe sa i pavarur është Presidenti i Republikës në ushtrimin e detyrës së tij.

Blendi Klosi dhe Taulant Balla e zbuluan sekretin (9 Majin) prej ditësh, por tashmë nuk ka më asnjë dyshim për qëndrimin e Begajt. Vendimet flasin më shumë se fjalët dhe sot ai konfirmoi edhe një herë se nuk sillet si President i të gjithë shqiptarëve, por si noter i vendimeve të Edi Ramës.

Vendimi i sotëm e bëri edhe më të drejtë refuzimin e Partisë së Lirisë për t’u bërë pjesë e një konsultimi formal për datën e zgjedhjeve vendore, të shkëputur nga realiteti dramatik i vendit, kur kryeagjenda e Shqipërisë janë protestat dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve.

Kur rinia proteston, Presidenti nuk mund të mbyllë sytë përballë kërkesave të tyre, krizës politike dhe dhunës barbare shtetërore ndaj të rinjve.

Shqipëria nuk ka nevojë për një President që dekreton vendimet e Edi Ramës, por për një President Republike që përfaqëson unitetin kombëtar, respekton Kushtetutën dhe dëgjon zërin e qytetarëve!

Zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli, siç propozon Partia e Lirisë, është zgjidhja e duhur për t’ua kthyer Kreun e Shtetit shqiptarëve!

Advertisement