Aktualitet
Administrata e Gjykatës ankesë te Avokati i Popullit: Të verifikohet kush po bllokon pagesat
Administrata gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i është drejtuar me një ankesë kolektive Avokatit të Popullit, lidhur me mosekzekutimin e pagave për muajin gusht 2026.
Nëpunësit civilë gjyqësorë dhe personeli mbështetës deklarojnë se kanë vijuar normalisht punën gjatë muajit gusht dhe kanë garantuar funksionimin e gjykatës, por pagat nuk janë ekzekutuar brenda afatit. Sipas tyre, deri në paraqitjen e ankesës nuk u është komunikuar një bazë ligjore e qartë për moskryerjen e pagesës.
Administrata e lidh situatën me problematikën e krijuar pas vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, që lidhet me pagat e magjistratëve. Megjithatë, në ankesë theksohet se statusi dhe skema e pagave të administratës gjyqësore janë të ndryshme nga ato të magjistratëve.
Sipas dokumentit, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, në një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave më 3 shtator, ka argumentuar se pagat e administratës gjyqësore dhe personelit mbështetës nuk preken nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe nga vendimi nr. 435/2026 i KLGJ-së, duke kërkuar ekzekutimin e tyre.
Punonjësit thonë se më 9 shtator i janë drejtuar edhe Ministrisë së Financave për të kërkuar informacion mbi arsyet e moskalimit të pagave, por deri në momentin e hartimit të ankesës nuk kishin marrë përgjigje.
Në dokument ngrihet shqetësimi se ngërçi i krijuar rreth pagave të magjistratëve ka prekur edhe administratën gjyqësore, ndonëse, sipas punonjësve, pagat e tyre nuk janë pjesë e kësaj mosmarrëveshjeje.
Administrata argumenton se mospagesa për një muaj pune të kryer cenon të drejtat dhe interesat e ligjshme të punonjësve dhe i referohet edhe dispozitave të Kodit të Punës për detyrimin e punëdhënësit për pagimin e pagës.
Për këtë arsye, Avokatit të Popullit i kërkohet të marrë informacion zyrtar nga KLGJ-ja, Ministria e Financave dhe strukturat përgjegjëse të Thesarit, për të verifikuar arsyet e moskryerjes së pagesave dhe nëse ato janë pezulluar për shkak të procedurave që lidhen me pagat e magjistratëve.
Në rast se konstatohet një pengesë administrative, punonjësit kërkojnë identifikimin e institucionit përgjegjës dhe të bazës ligjore mbi të cilën është mbështetur veprimi ose mosveprimi.
Administrata kërkon gjithashtu që, nëse konstatohet cenim i të drejtave të saj, institucioneve përgjegjëse t’u rekomandohet marrja e masave për ekzekutimin e pagave të gushtit dhe për shmangien e përsëritjes së situatave të ngjashme.
Sipas punonjësve, problematika nuk lidhet vetëm me interesat financiare të administratës, por mund të ndikojë edhe në funksionimin normal të gjykatave.