Aktualitet
Tritoli në banesën e mësuesit, paralajmërim për vëllanë e tij? Pista kryesore
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër, në oborrin e banesës së Meti Bushatit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:30, kur persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse në oborrin e banesës.
Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Meti Bushati dhe bashkëshortja e tij ushtrojnë profesionin e mësuesit.
Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon disa pista për zbardhjen e motivit të ngjarjes. Një prej tyre lidhet me vëllain e Meti Bushatit, Gëzim Bushatin, i cili jeton në Gjermani.
Sipas burimeve, Gëzim Bushati ka pasur më herët probleme me ligjin në Gjermani. Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit nuk është përcaktuar nëse kjo rrethanë ka lidhje me sulmin ndaj banesës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve, si dhe për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.