Kosova
Orët e fundit para vendimit/ Ambasadori kroat: Nuk është mirë që Thaçi të dënohet…
Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë nesër vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në prag të verdiktit, ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariç, ka komentuar pritshmëritë për vendimin dhe ndikimin e mundshëm të tij në Kosovë.
Duke folur nga Pogradeci, Kramariç tha se çdo vendim i Gjykatës duhet të pranohet, edhe nëse mund të jetë i dhimbshëm. Sipas tij, çështja duhet parë në dy plane: atë që lidhet me Hashim Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, si dhe ndikimin që vendimi mund të ketë mbi imazhin e Kosovës.
Ambasadori kroat u shpreh se një dënim i Thaçit nuk do të ishte pozitiv për imazhin e shtetit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se Kosova nuk duhet të konsiderohet përgjegjëse për vendimin e Gjykatës Speciale.
Kramariç tha gjithashtu se shpreson që procesi gjyqësor të mos ketë qenë i ndikuar politikisht, por të jetë zhvilluar mbi bazën e drejtësisë dhe fakteve.