Bota
Rusia përshkallëzon sulmet e saj ndaj Europës, rreziku i një hapi të gabuar po rritet çdo ditë
Rusia po shton incidentet në krahun lindor të Evropës.
Dronë, incidente ajrore dhe raste të dyshuara sabotimi po shqetësojnë vendet e NATO-s, në atë që zyrtarët perëndimorë e konsiderojnë pjesë të një strategjie të “zonës gri”.
Një dron rus goditi një tren pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni, pak pasi në të njëjtën linjë kishte kaluar një tren me ish-zyrtarë të lartë perëndimorë. Hekurudhat ukrainase nuk përjashtojnë që treni diplomatik të ketë qenë objektivi fillestar.
Në Lituani, avionët e NATO-s rrëzuan një dron të dyshuar se kishte hyrë nga Bjellorusia. Autoritetet thanë se në të u gjet edhe një pajisje shpërthyese.
Ndërkohë, një anije luftarake ruse lëshoi flakadanë pranë një helikopteri danez në Detin Baltik, ndërsa Holanda po heton një rast të dyshuar sabotimi në rrjetin hekurudhor.
Polonia paralajmëron gjithashtu për rritjen e rrezikut nga sulmet hibride ruse.
Për NATO-n, dilema është e madhe: si të reagojë ndaj incidenteve që kërcënojnë sigurinë e vendeve anëtare, pa i çuar ato në një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Dronë, sabotime dhe operacione hibride po e zhvendosin gjithnjë e më shumë përplasjen në atë që ekspertët e quajnë “zona gri”.