Thinking ...
Connect with us

Kosova

KOSOVA NE FOKUSIN E UASHINGTONIT/ SENATORJA E SHBA: RUSIA TA DI QE JEMI NE GATISHMERI TE LARTE

Ballkani vijon të mbetet në fokusin e shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Senatorja amerikane Jeanne Shaheen paralajmëron për ndikimin rus në rajon dhe thotë se lidhjet e Serbisë dhe të serbëve në Republikën Sërpska me Moskën kërkojnë vëmendje të shtuar.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, senatorja amerikane deklaron se Rusia e konsideron Ballkanin si një hapësirë të mundshme për destabilizim.

Sipas Shaheen, lidhjet e Beogradit dhe të udhëheqjes serbe në Bosnje me Moskën janë një nga shqetësimet që duhet të merren në konsideratë për sigurinë e rajonit.

“Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur stabilitetin në rajon”, është shprehur Shaheen.

Në këtë kuadër, senatorja amerikane vë në dukje edhe praninë e forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë: NATO në Kosovë dhe EUFOR-i në Bosnje duhet të jenë të përgatitur dhe të monitorojnë nga afër zhvillimet në terren.

“Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto misione janë në gatishmëri të lartë dhe po e vëzhgojnë nga afër atë që po ndodh”, deklaroi senatorja amerikane.

Deklaratat e Shaheen vijnë në një kohë kur ndikimi rus në Ballkan dhe marrëdhëniet e Moskës me aktorë politikë në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë mbeten pjesë e debatit për sigurinë rajonale.

Për Uashingtonin, sipas Shaheen, ruajtja e stabilitetit në Ballkan kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe një prani të sigurisë që të jetë në gjendje të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim.

Advertisement