Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Mrekullia e solidaritetit/ Shqiptarët bashkohen për Lukasin 3-javësh, mbledhin 95 mijë dollarë në 48 orë

Lukasi, foshnja 3-javëshe nga Shkodra për të cilën u bë një apel për ndihmë pak ditë më parë, është nisur drejt Italisë për të marrë trajtimin e specializuar mjekësor.

Shuma e nevojshme për trajtimin e tij është mbledhur në më pak se 48 orë, pas një reagimi të gjerë të shqiptarëve ndaj apelit për ndihmë. Lajmi është bërë i ditur nga imami Elvis Naçi, i cili ka publikuar edhe pamje nga nisja e foshnjës drejt Italisë.

Lukasi, i lindur me një problem të rëndë në mushkëri, ndodhej i intubuar në spital dhe kishte nevojë për trajtim të specializuar jashtë vendit. Familja Vladaj kishte bërë apel për mbledhjen e rreth 95 mijë dollarëve për trajtimin dhe shpenzimet e lidhura me të. Vetëm transporti me ambulancë ajrore drejt Italisë ishte parashikuar të kushtonte rreth 30 mijë dollarë.

Në pamjet e publikuara shfaqen prindërit e foshnjës gjatë nisjes, ndërsa falënderojnë të gjithë personat që kontribuuan për të mundësuar trajtimin e djalit të tyre.

Familja shpreson që trajtimi në Itali të sjellë përmirësimin e gjendjes së Lukasit dhe që ai të mund të rikthehet pranë prindërve në gjendje të mirë shëndetësore.

Apeli për ndihmë u publikua të enjten dhe, brenda pak ditësh, objektivi financiar u arrit. Elvis Naçi ka bërë thirrje që mbështetja për vogëlushin të vijojë përmes lutjeve, ndërsa familja përballet me fazën e ardhshme të trajtimit.

Nisja drejt Italisë shënon një hap të rëndësishëm për familjen, por beteja mjekësore e Lukasit ende nuk ka përfunduar.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

Advertisement