✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“Plumbin e kam ende në sy”/ 28 vjeçari tregon momentin kur policia e plagosi gjatë protestës

“Një goditje, dy hapa dhe më pas u rrëzova në tokë.” Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë protestës në Tiranë, pasi u godit nga një plumb gome.

Në një dëshmi për herë të parë për Top Channel, në një intervistë me gazetarin Endi Tufa, 28-vjeçari rrëfen sekondat para plagosjes, dhimbjet që po përjeton dhe pasigurinë për gjendjen e shikimit.

Erjoni tregon se kishte shkuar për të takuar disa miq dhe se nuk kishte ndërmend të qëndronte gjatë në protestë. Sipas dëshmisë së tij, ai ndodhej rreth 30 metra larg efektivëve të policisë, kur u godit papritur.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen Vishkulli.

Goditja ndodhi brenda pak sekondash. I riu thotë se pas plagosjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm dhe se kujton pak nga momentet që pasuan. Ai mban mend se një mik e ndihmoi dhe e transportoi me makinë, përpara se të niste trajtimi mjekësor në spital.

“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, shprehet ai.

Plumbi mbetet në syrin e majtë, Erjoni: Kam shumë dhimbje

Situata shëndetësore e 28-vjeçarit mbetet shqetësuese. Sipas dëshmisë së tij për Top Channel, plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë, ndërsa pasojat e dëmtimit dhe rreziku për shikimin janë ende të paqarta.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, tregon Vishkulli.

Përballë pasigurisë, shpresa mbetet te trajtimi i specializuar mjekësor. Pas kontakteve të Top Channel me stafin spitalor dhe të afërmit e të riut, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të marrë kujdes më të specializuar.

“Vetëm fitore”, mesazhi i Erjonit

Pavarësisht dhimbjes dhe pasigurisë për shëndetin, Erjon Vishkulli e përfundon intervistën me një mesazh të shkurtër, por domethënës.

“Vetëm fitore”, thotë ai, kur gazetari Endi Tufa e pyet se çfarë nënkupton me këtë shprehje.

“Shqipëria është e jona”, përfundon 28-vjeçari.

Dëshmia e tij vjen pas plagosjes gjatë protestës në Tiranë, ndërsa rrethanat e incidentit dhe përgjegjësia për goditjen mbeten çështje për t’u zbardhur nga institucionet hetimore.

Advertisement