Aktualitet
Erjon Vishkulli niset për kurim në Itali, shefja e okulistikës: Kemi shenja pozitive
28-vjeçari Erjon Vishkulli është nisur drejt Italisë, ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale pas plagosjes së rëndë në sy gjatë protestës në Tiranë.
Gazetarja e Top Channel, Alma Demiraj, bën me dije se i riu është nisur tashmë drejt shtetit fqinj, ku do të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Më herët gjatë ditës, mjekët e Spitalit të Traumës dhe të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer një konsultë për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore. Sipas tyre, janë konstatuar disa shenja pozitive, por është vlerësuar e nevojshme një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e trupit të huaj që ndodhet në sy.
Shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, mjekja Vilma Mema, bëri të ditur se, për të rritur mundësinë e një rezultati sa më të mirë, është vendosur bashkëpunimi me një klinikë të specializuar në Itali.
“Me mjekët e Spitalit të Traumës dhe ata të Shërbimit Universitar në QSUT, sot kemi konstatuar disa shenja pozitive. Përsëri, stafi ka arritur në konstatimin se duhet të kryhet edhe një ndërhyrje e dytë për heqjen e trupit në sy. Për një rezultat më të mirë, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar në Itali. Ministria e Shëndetësisë është vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit”, u shpreh Mema.
Transporti i Vishkullit drejt Italisë është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa ndërhyrja e specializuar synon trajtimin e dëmtimit të shkaktuar nga goditja në sy.
Gjendja e 28-vjeçarit dhe ecuria e trajtimit të tij do të varen nga vlerësimi i mëtejshëm mjekësor dhe rezultatet e ndërhyrjes kirurgjikale.