✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

DISFATE FATALE E REGJIMIT/ LISTA STUDENTORE FITON 51.47% TE VOTAVE, VUÇIÇ MERR 40.42%

Lista Studentore ka marrë 51.47% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, ndërsa lista “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar” ka siguruar 40.42%, sipas të dhënave të publikuara nga organizata CRTA.

Drejtori i programeve të CRTA-s, Rasha Nedeljkov, njoftoi se asnjë listë tjetër nuk e ka kaluar pragun zgjedhor, me përjashtim të listave të pakicave kombëtare.

Sipas tij, 1.55% e fletëve të votimit kanë rezultuar të pavlefshme.

Nedeljkov tha se qytetarët kanë të drejtë të festojnë, por u bëri thirrje që ta bëjnë këtë me dinjitet.

Me heret…

Kandidati i SNS-së për Kryeministër, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se lista e tij ka humbur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, ndërsa Lista Studentore ka siguruar një fitore që, sipas vlerësimeve paraprake, i jep asaj shumicën në parlament.

Në një deklaratë pas zgjedhjeve, Vuçiç tha se rezultatet përfundimtare nuk janë publikuar ende, por të dhënat e nxjerra nga një mostër e stratifikuar tregojnë një epërsi të qartë të Listës Studentore.

“Nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t’ju informoj se, bazuar në mostrën e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje. Lista studentore e bllokadës fitoi, ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105”, deklaroi Vuçiç.

Sipas tij, përveç dy listave kryesore, në parlamentin e ri pritet të përfaqësohen edhe disa parti të pakicave kombëtare.

“Askush tjetër nuk hyri në kuvend. Përfundimisht, po, hungarezët e Vojvodinës hynë me 3 mandate, dhe me një mandat shqiptarët, dhe dua të them SDA”, u shpreh ai.

Sipas këtyre vlerësimeve, Lista Studentore mund të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate në parlamentin me 250 vende, duke kaluar pragun prej 126 mandatesh që nevojiten për shumicën parlamentare. Nëse rezultatet zyrtare konfirmojnë shifrat e paraqitura nga Vuçiç, ato do të shënonin një ndryshim të rëndësishëm politik në Serbi, pas viteve të qeverisjes së Partisë Progresive Serbe.

Zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit u zhvilluan pas gati dy vitesh protestash studentore, të cilat nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestat u zgjeruan më pas në një lëvizje kundër korrupsionit dhe për përgjegjësi institucionale.

 

Advertisement